Gazeta Si – Një nënkomisar i Policisë së Durrësit, bashkë me djalin e tij kanë qëlluar me armë në drejtim të makinës së një 29-vjeçari, ku dyshohet se shkak ka qenë një parakalim i gabuar me mjet nga ana e këtij të fundit.
Ngjarja, e cila mund të kishte pasur pasoja të rënda ndodhi mesditën e të enjtes në qytetin e Kavajës rreth orës 13:00.
Sipas policisë, gjithçka ka nisur pas një sherri për motive të dobëta dhe babë e bir në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë qëlluar ndaj të riut Kiti Kazazi, i cili fatmirësisht nuk ka mbetur i lënduar.
Në një njoftim për mediat, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), tha se ka vënë në pranga punonjësin e policisë, N/Komisar Kastriot Gjongecaj, ndërsa djali i tij 24-vjeçar, Denis Gjongecaj, është shpallur në kërkim.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë N/Komisar Kastriot Gjongecaj, me detyrë specialist në seksionin e shërbimeve ndaj të tretëve në DVP Durrës, si edhe shpalli në kërkim Denis Gjongecajn, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”. Arrestimi i N/komisar Kastriot Gjongecaj u krye pasi nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake ka rezultuar se në bashkëpunim me Denis Gjongecajn, 24 vjeç (djali i tij), më datë 08.02.2024, rreth orës 13:25, në lagjen Nr.2 të qytetit të Kavajës, janë konfliktuar për motive të dobëta dhe kanë qëlluar me armë ndaj automjetit me të cilin udhëtonte Kiti Kazazi, 29 vjeç. Nga kjo ngjarje nuk ka patur të lënduar”, thuhet në njoftim.
Sipas burimeve, një ditë para ngjarjes, djali i Kastriot Gjongecajt ishte konfliktuar me të riun nga Kavaja për shkak të një parakalimi me makinë.
Konflikti kishte qenë verbal. Të nesërmen 24-vjeçari shkoi bashkë me të atin për ta sqaruar problemin. Por djali ka qëlluar me pistoletë në drejtim të automjetit me të cilin po udhëtonte Kazazi. Nga kjo rezulton se 24-vjeçari mbante dhe armë pa leje dhe ndaj tij rëndojnë dy akuza.
Në njoftimin për mediat, AMP thekson se “mbetet e përkushtuar në misionin për garantimin e zbatimit të ligjit dhe vetëpastrimin e Policisë, ndërsa fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin, duke telefonuar falas në numrin 08009090”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




