Drejtësia

‘Sterilizimi’/ SPAK sekuestron disa kompani të biznesmenit të arrestuar, Ilir Rrapaj

Gazeta Si – SPAK ka vendosur në skuestro 40% të kompanisë “Sani Servis” në pronësi të biznesmenit Ilir Rrapaj, i arrestuar për dosjen e “Sterilizimit”.

Në sekuestro është vendosur edhe një kompani me seli në Kosovë, si dhe 13 automjete që janë në pronësi të kompanive që zotërohen nga Rrapaj.

Po ashtu, janë sekuestruar edhe dy llogari bankare në vlerë 285,412,48 Euro dhe një tjetër me 113,610.93 Lek , që gjendeshin në një bankë të nivelit të dytë.

Kështu, nga GJKKO është caktuar masën e sigurimit pasuror të sekuestros preventive si më poshtë:

Pjesës takuese prej 40 % të Shoqërisë “Sani Service” Shpk, me numër Nipti L51910021C;

Shoqërisë “Investital Llc”, e regjistruar në Agjencinë e Biznesit në Kosovë;

Shoqërisë “Globalsher” Shpk, me numër Nipti L62120029D, dhe asetet e saj, me ortak të vetëm personin nën hetim Ilir Rapaj;

40% të kuotave të shoqërisë “Sani Service” Shpk, konkretisht, kuota që i përket subjektit tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues të hetuarin Ilir Rrapaj.

Biznesmeni Rrapaj akuzohet për veprën penale të mashtimit me pasoja të rënda nga ana e SPAK dhe ndodhet në masën e “arrestit në burg”.

 E njëjta masë është caktuar edhe për ish-zëvëndësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj. Prokuroria ka dyshime se Ilir Rrapaj e fitoi koncesionin me vlerë 100 milion euro me afat 10-vjeçarë për shkak të njohjeve që kishte me drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë.

Rrapaj ka mbaruar shkollën me Klodian Rjepaj dhe ka udhëtuar disa herë jashtë vendit edhe me ish-ministrin Ilir Beqaj, i cili për këtë çështje është në hetim me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Gjashtë të akuzuarit e tjerë të dosjes, mes të cilëve edhe rektori i Fakultetit të Mjekësisë, Arben Gjata, po hetohen në masa më të buta sigurie.

SPAK e nisi hetimin për këtë koncesion në vitin 2019, pas një kallëzimi të depozituar nga ana e nismës “Thurje”. Në vitin 2020, çështja u regjistrua për 3 akuza që janë “shpërdorim detyre”, “shkelje të barazisë në tendera” dhe “korrupsion pasiv”.

Hetimet kishin në fokus marrëveshjen mes ministrisë me kompaninë që fitoi koncesionin me vlerë 100 mln euro.

Raportet e bëra ndër vite nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur alarmin se ky koncesion po i shkaktonte një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit pasi kostot kishin nisur të rriteshin me 20-30% më shumë nga ç’ishin parashikuar në kontratë.

Mësohet po ashtu se në kontratën e lidhur mes ministrisë së asaj kohe me kompanitë që kishin fituar koncesionin ishte në favor të “Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë” dhe jo të shtetit.

SPAK, përpos urdhër-arresteve të miratuara nga ana e gjykatës, vijon hetimet për çështje, pasi koncesioni është kryer në bazë të dokumentave, për të zbuluar se si u bë e gjithë procedura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë