Gazeta Si – Pak pas arrestimit të bashkëshortit të saj, gruaja e 34-vjeçarit Asqeri Mandri, ka mohuar deklaratën që ka bërë në polici, ku e akuzonte se prej disa kohësh dhunohej dhe mbahej e vëzhguar me kamera në banesë.
Në një komunikim me mediat, ajo shprehet se kamerat i ka vendosur vetë dhe se nuk ka qenë asnjëherë e dhunuar nga i shoqi.
E pyetur, pse e ka denoncuar dhe ka deklaruar të kundërtën në polici, ajo u shpreh: “Nuk kam qenë mirë nga trutë e kokës!”.
Një deklaratë, e cila duhet të verifikohet nga policia, pasi ka dyshime se gruaja mund të jetë kërcënuar për të tërhequr padinë dhe për të nxjerrë nga qelia të shoqin.
Asqeri Mandri mësohet se sapo ishte kthyer nga Gjermania. Çifti ishin prindër të 4 fëmijëve dhe jetonin në zonën e Kodër-Institut.
Pjesë nga biseda me gazetarët:
Nuk kam asnjë lloj pretendimi, thjesht një zënkë e vogël
Ju ka dhunuar bashkëshorti?
Jo absolutisht
Kështu jeni shprehur para policisë?
Nuk ka asnjë lloj dhune. S’është jeta fushë me lule, kamerat i kam vendosur vetë. Nuk kam qenë mirë nga trutë e kokës.
Pse ua theu vëllai telefonin para pak kohe?
E theva vetë telefonin. Për qejf, se më do qejfi
A e ke tradhtuar bashkëshortin?
Jo, jam shumë e sigurt.
Në fakt, ka qenë kjo e fundit ajo që ka denoncuar në polici 34-vjeçarin, i cili u vendos në pranga këtë të martë.
“Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale, në një familje. Mbylli në banesë, bashkëshorten e tij, të cilën e mbikëqyrte me kamera, si dhe ushtroi dhunë ndaj saj, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacionit të marrë se një shtetas kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, në monitorimin e kamerave që i kishte instaluar brenda në banesë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale. Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 u arrestua shtetasi A. M., 34 vjeç, banues në Kodër Institut. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 34-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesën e tyre ku kishte montuar kamera për të monitoruar lëvizjet e saj. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thotë policia.
Megjithatë, policia ka sekuestruar kamerat në banesë, të cilat do të zbulojnë veprimet e kryefamiljarit.
Ka dyshime se kamerat e sigurisë që Asqeri Mandri kishte instaluar brenda banesës për të monitoruar bashkëshorten, kanë fiksuar momentet kur ai dhunonte nënën e katër fëmijëve.
E vetmja përgjigje që i dha hetuesve, pse e bëri këtë, është: “Kështu ma dha truri”. Një ekspertizë mjeko-ligjore do të caktojë nëse burri ka apo jo probleme të shëndetit mendor. Në një intervistë për mediat, nëna e Asqeri Mandrit akuzon nusen se e ka tradhtuar djalin e saj.
“Mori rrugën e gabuar. Mbulo këtu e mbulo aty. Unë si nënë asnjë llaf çunit. Bëri 3 gabime, ja fala. Iku çuni jashtë shtetit 8-9 muaj, si ja nisi në telefon bam-bam.. I dolën mendtë çunit. Po kamerat kush i ka vendosi? Mizerja çuni. Ishte xheloz i paparë”, tha nëna.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




