Nga Gazeta ‘Si’ – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pranoi për herë të parë se është takuar me organizatorin e sulmit në Banjskë të Kosovës, përpara se të ndodhte.
“Tre net me radhë kam pasur takim me ata. Aty ishin Radoiçiç, Simiç, dhe 10 burra të tjerë”, u shpreh ai duke tentuar t’i shfajësojë ata, me pretendimin se sulmi ndodhi nga pafuqia për të bërë diçka tjetër për të mbrojtur serbët.
Vuçiç, duke folur për një televizion në Beograd, u përpoq të mbronte veten në sytë e ndërkombëtarëve, duke deklaruar se u kërkoi terroristëve që t’u besojnë amerikanëve dhe europianëve për garancinë se nuk do të arrestohej njeri për barrikadat në veri të Kosovës.
“Me firmosje garantuan se shqiptarët nuk do të arrestonin askënd që ishte në barrikada. Dhe kur ata nënshkruan, tre muaj më vonë filluan arrestimet”, thotë presidenti serb.
Vuçiç pranoi se terroristët kanë vepruar gabim dhe premtoi se do të ndiqen penalisht, pavarësisht se realiteti aktualisht tregon të kundërtën. Milan Radoiçiç, që organizoi sulmin, është ende i lirë në Serbi.
Ndër të tjera, përsëriti retorikën e zakonshme që pret një presion të madh nga ndërkombëtarët për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe për tu shkëputur nga Rusia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




