Gazeta Si – Një tjetër rast i ngjashëm me atë të Jetnor Zhabolit, 34-vjeçarit që mbante të ngujuar familjen e tij, u raportua këtë të martë në Tiranë.
Policia njoftoi se Asqeri Mandri, 34 vjeç, është ndaluar pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën – sipas policisë – e mbante të mbyllur, e dhunonte dhe e monitoronte me kamera të instaluara brenda shtëpisë në Kodër Institut në Kamëz. Por më vonë gjatë ditës ka qenë vetë gruaja që deri diku ka rrëzuar versionin fillestar të ngjarjes, duke pohuar se kamerat i kishte vendosur vetë në shtëpi.
Pak pas arrestimit të bashkëshortit të saj, gruaja e 34-vjeçarit Asqeri Mandri, ka mohuar deklaratën që ka bërë në polici, ku e akuzonte se prej disa kohësh dhunohej dhe mbahej e vëzhguar me kamera në banesë.
Në një komunikim me mediat, ajo është shprehur se kamerat i ka vendosur vetë dhe se nuk ka qenë asnjëherë e dhunuar nga i shoqi. E pyetur, pse e ka denoncuar dhe ka deklaruar të kundërtën në polici, ajo u shpreh: “Nuk kam qenë mirë nga trutë e kokës!”. Një deklaratë, e cila duhet të verifikohet nga policia, pasi ka dyshime se gruaja mund të jetë kërcënuar për të tërhequr padinë dhe për të nxjerrë nga qelia të shoqin.
Pjesë nga biseda e gruas me gazetarët:
Nuk kam asnjë lloj pretendimi, thjesht një zënkë e vogël
Ju ka dhunuar bashkëshorti?
Jo absolutisht.
Kështu jeni shprehur para policisë?
Nuk ka asnjë lloj dhune. S’është jeta fushë me lule, kamerat i kam vendosur vetë. Nuk kam qenë mirë nga trutë e kokës.
Pse ua theu vëllai telefonin para pak kohësh?
E theva vetë telefonin. Për qejf, se më do qejfi.
A e ke tradhtuar bashkëshortin?
Jo, jam shumë e sigurt.
Në fakt, ka qenë gruaja që ka denoncuar në polici 34-vjeçarin, i cili u vendos në pranga këtë të martë.
Njoftimi i policisë:
“Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale, në një familje. Mbylli në banesë, bashkëshorten e tij, të cilën e mbikëqyrte me kamera, si dhe ushtroi dhunë ndaj saj, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacionit të marrë se një shtetas kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, në monitorimin e kamerave që i kishte instaluar brenda në banesë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale. Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 u arrestua shtetasi A. M., 34 vjeç, banues në Kodër Institut. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 34-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesën e tyre ku kishte montuar kamera për të monitoruar lëvizjet e saj. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”.
Më herët gjatë ditës, nëna e Mandrit kishte pranuar për mediat se ka pasur dijeni për kamerat, por i ka justifikuar me faktin se “djali ishte xheloz”, ndërsa ka pretenduar se vajza e tradhtonte bashkëshortin e saj.
I riu kishte 6 muaj që ishte kthyer nga Gjermania e prej atëherë ai kishte vënë kamera në ambientet e banesës në Kodër Institut. Në çdo dhomë kishte vendosur nga 3 kamera në kënde të ndryshme, përfshirë edhe ambientet jashtë.

Sipas burimeve, pasi u kthye nga jashtë, ai ngeli pa punë dhe kjo gjë e shtyu të pengonte dhe bashkëshorten të punonte. Fillimisht ajo ka deklaruar para policisë se nuk ka shkuar 2 javë në punë prej xhelozisë, por është rikthyer.
Kur u pyet pse e monitoronte gruan, Mandri është shprehur: “Kështu ma dha truri”. Ndërkohë bashkëshortja deklaroi para hetuesve se pas kthimit nga Gjermania, bashkëshorti ka shfaqur shenja të theksuara xhelozie dhe gjithë kohën e shante, duke e akuzuar edhe për tradhti. Policia thotë se çifti ka 4 fëmijë, të cilët bashkë me të ëmën, kanë rënë pre e dhunës së vazhdueshme.
Rasti Zhaboli
Rreth 10 ditë më parë, një rast thuajse identik u zbulua në kryeqytet, ku Jetnor Zhaboli kishte ngujuar brenda banesës familjen e tij, të cilën e monitoronte me kamera. Ai gjithashtu kishte instaluar pajisje për bllokimin e valëve dhe madje ndërpriste edhe energjinë elektrike. Sa herë që largohej, u ndalonte komunikimin me persona të tjerë, si dhe ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike, në mënyrë të vazhdueshme, ndaj bashkëshortes. Kjo jetesë i kishte shkaktuar stres asaj, e cila kishte tentuar vetëvrasjen. Në banesë policia gjeti dy letra që gruaja kishte shkruar për familjarët e saj, ku u linte lamtumirën dhe u kërkonte falje. 34-vjeçari Zhaboli, me profesion ekonomist, u arrestu dhe pritet që t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar nëse ka probleme të shëndetit mendor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




