Rezultatet e vizitës të përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd, po vlerësohen se do të jenë minimale në dialog nga analistët politikë. Sipas tyre, pranimi nga ana e Lajçak se ka pak përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tregon se procesi i dialogut ka hyrë në një krizë të re, sidomos nëse kihet parasysh se pas pesë muajsh do të mbahen zgjedhjet e reja në Bashkimin Evropian.
Analisti politik, Artan Muhaxheri, thotë se sheh pak progres në dialog, megjithëse thekson se çdo proces ndërkombëtar i Kosovës, do të varet nga performanca e saj në dialogun me Serbi dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
Ai shton se dialogu do të ketë shumë paqartësi më të mëdha nëse në Bashkim Evropian, fiton e djathta ekstreme, ndërkaq në ShBA, Donald Trump. Prandaj, sipas tij, kryeministri Albin Kurti nuk duhet të ketë ngurrim në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.
Skeptik se do të ketë progres në dialog është edhe analisti tjetër politik, Dorajet Imeri. Ai thekson për KosovaPress, nevojën që Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja, të bëjnë më shumë presion, veçmas ndaj Serbisë për zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Siç konsideron ai, nëse mbetet në vullnetin e Kosovës dhe Serbisë që të pajtohen për zbatimin e marrëveshjes, atëherë kjo do të zgjasë pambarimisht.
Lajçak gjatë kësaj jave qëndroi në Kosovë dhe Serbi. Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ai tha se ka pak përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, derisa bëri të ditur se blloku evropian do të merr një vendim se çfarë hapash do të ndërmarrin në procesin e dialogut. /KosovaPres
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.