Politike

Dalja e këshilltarëve të PD pa PL dhe mbledhja e thirrur nga Meta

Të enjten në mesditë në selinë e PD-së u njoftua një reagim i këshilltarëve të opozitës në Bashkinë e Tiranës.

Për shumëkënd u kuptua se në tryezën e përbashkët të një prej sallave të PD-së do të ishin edhe këshilltarët e PL-së sa kohë që në zgjedhjet e fundit lokale, ata renditen nën një logo politike.  

Asnjë prej tyre nuk ishte edhe pse targeti i tyre politik është i njëjtë dhe ka një emër; Erion Veliajn.

Paralelisht partia e Lirisë ka njoftuar mbasdite një mbledhje urgjente të organit më të lartë të saj drejtues ku mund të vendoset për shumëçka; Nga propozime për ndryshime në lidership e deri në përcaktimin e vijave te qarta me PD-në.

Zyrtarë të lartë të PL-së ishin konfuz mbi pikën e parë se deri ku mund të prekej lidershipi, por ishin te qartë për pikën e dytë se në këtë takim do të përcaktohen qartë linjat e bashkëpunimit me PD-në, nisur nga disa hatërmbejtje të kohëve të fundit.

Njerëzit e PL-së nuk janë parë gjithashtu as në mitingjet e vogla poshtë ballkonit të Sali Berishës. Ilir Meta ka qenë i prerë të mos dërgojë asnjë përfaqësues.

Vetë Meta i ka shpeshtuar daljet publike vetëm së fundi ndërsa është treguar i rezervuar të flasë për bashkëpunimin e mëtejshëm me PD-në. Me Sali Berishën në arrest shtëpie gjërat janë komplikuar jo pak.

"Kemi pasur një përshëndetje telefonike me Berishën ku i kam shprehur solidaritetin tim. Kam pasur takime me eksponentë të PD si Noka dhe të tjerë për të folur për situatën. Opozita po punon në disa drejtime", është shprehur më herët Meta

Meta ka deklaruar gjithashtu për mediat se opozita duhet të jetë më gjithëpërfshirëse


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë