Gazeta Si – Një 48-vjeçar shqiptar nga Melani i Dibrës, është arrestuar në aeroportin e Athinës, pasi kontrolli në sistem zbuloi se ndaj tij kishte një urdhër ndalimi dalje nga Greqi, si dhe një urdhër arresti për “vrasje me qëllim” dhe “shpërthim eksplozivi”.
Sipas mediave greke, Ralf Ferruku është një person me precedentë të rrezikshëm kriminal.
Ai njihet në Greqi me nofkën “Takis shqiptari” dhe është mik i të dënuarit të fmshëm shqiptar në shtetin fqinj, Alket Rizai, me të cilin u arrestua në vitin 2021 në Lamia, së bashku me një biznesmen të njohur grek.
Nuk dihet ende sesi 48-vjeçari ia ka dalë t’i shpëtojë dënimit, por asokohe u raportua se ai kishte shkuar së bashku me një biznesmen grek, të njohur në botën e jetës së natës, për të takuar Alket Rizain, i cili kishte marrë një leje pesëditore nga burgu i Domokosë.
Sa i përket të shkuarës kriminale, “Takisi shqiptari” akuzohet për një shpërthim të ndodhur në 29 dhjetor të vitit 2014.
Asokohe një makinë “Smart”, me të cilën udhëtonte një bashkëkombës 35 vjeçar u hodh në erë teksa lëvizte në autostradën Attiki Odos.
Ferruku dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në një vrasje të ndodhur në Joy Bar në Glyfada, në vitin 2017.
Në këtë sulm të armatosur, i cili lidhej me përplasjet midis grupeve kriminale për trafikun e drogës, një shtetas shqiptar u vra dhe tre të tjerë mbetën të plagosur.
Ralf Feruku u arrestua nga policia greke në 29 janar 2021 në Lamia në një automjet të blinduar, ku ndodhej në shoqërinë e Alket Rizait, i cili kishte dalë për pak ditë me leje nga burgu.
Në momentin e kapjes, policia zbuloi se ndaj Ferrukut rëndonte një urdhër arresti si i dyshuar për bashkëpunim në vrasjen e Roland Shembitrasit dhe Gjergji Kapajt në “Joy Bar” në Glifadha në 8 tetor 2017.
Pas arrestimit, Feruku u mbajt ne burg deri në 12 prill 2021 kur u lirua me urdhër të prokurorit pa asnjë masë sigurimi dhe u deportua në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




