Ngjarje

Kualifikimi paska qenë shumë më i thjeshtë se sigurimi i një bilete. Miliona aplikime për ndeshjet e Shqipërisë, tregu i zi penalizoi tifozët

Nga Gazeta ‘Si’- “Aplikimi juaj nuk ka qenë i sukseshëm”, ky është e-maili që shumica e shqiptarëve kanë marrë këto ditët e fundit nga UEFA-s, duke i prishur pritshmëritë dhe të gjithë entuziazmin tifozëve të shumtë kuqezi, që presin me padurim të ndjekin edhe në stadium Kombëtaren e tyre, që për herë të dytë në historinë e tij arriti të kualifikohet për në finalet e një Europiani.

Refuzimi i aplikimit

“Çmenduria” e kërkesave për bileta!

Prej nga dita e parë e hedhjes në treg të fazës së parë të shitjeve, UEFA paralajmëroi një ‘bum’ të madh kërkesash, saktësisht siç njofton vetë organi që drejton futbollin europian, ka patur plot 30 milionë kërkesa nga 206 shtete për bileta, duke e shndërruar procesin e shpërndarjes së biletave në një llotari. Këto shifra janë për një fazë 10-ditore nga data 2 në 12 dhjetor.

Në fazën e parë të shitjes së biletave, në muajin tetor, ku dolën në shitje 1.2 milionë bileta, ishin 35% e kërkesa që shkuan nga jashtë Gjermanisë dhe në total ishin 20 milionë kërkesa. Në fazën e dytë përqindja shkoi në 59% e fansave që aplikuan për bileta jashtë Gjermanisë.

Sipas vetë presidentit të Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf, ndeshjet e Shqipërisë ishin më të kërkuarat nga të gjitha takimet e 24 ekipeve pjesëmarrëse të finaleve të Europianit, pas ndeshjeve të Turqisë. Sipas tij, vetëm pas 3 orëve të para të hapjes së portalit të biletave janë bërë 3.1 milionë aplikime.

Biletat në dispozicion të Federatave të Futbollit

Megjithatë veç biletave të dala në shitje, secila federatë futbolli pjesëmarrëse me ekipin e saj në fazën finale të Europianit, ka patur në dispozicion për grupet e tifozerive besnike, apo (Fan Clubeve), sponsorat dhe bashkëpunëtorët e saj, 10.000 bileta për fazën e parë të grupeve.

Gjithashtu për fazën e 16-shes 6.000, gjysmëfinalet 7.000 dhe 10.000 për finale, gjithmonë nëse ekipi përfaqësues kalon në këto faza të tjera.

Biletat e federatave

Aplikimet e skualifikuara

Të gjitha këto aplikime, si shumë prej nesh, janë bërë me disa adresa të ndryshme e-maili me shpresën që njëra do të arrij të kapë “llotarinë”, por nuk ka ndodhur saktësisht kështu si ishte menduar.

UEFA në thirrjen e saj për të evituar blerjen e biletave në dorë të dytë, ka theksuar edhe këtë fakt. Programi i saj i shpërndarjes në formë llotarie, biletat tek aplikuesit, ka arritur të identifikojë edhe adresat e njëjta apo që janë aplikuar nga e njëjta IP (Internet Protocol që bën të mundur komunikimin në internet).

Sigurisht që këto masa janë marrë kundër personave dhe faqeve të ndryshme që bëjnë aplikime të shumta për t’u furnizuar dhe më pas për t’i shitur në treg të zi, por mes tyre janë djegur edhe shumë tifozë shqiptarë.

“Fati i keq”, i përballjes me gjigandët e futbollit botëror

Megjithatë, ndryshe nga Europiani i “Euro 2020”-s i zhvilluar në Angli, në prag të pandemisë së Covid-19-s, i shoqëruar me një vend që për shumë shtete kërkon pajisjen me VIZA e problematika si këto që ndikojnë në pjesëmarrje dhe lëvizje të lirë, “Gjermani 2024”, pritet të zhvillohet në një klimë të qetë në Europën Perëndimore.

Shqipëria ka fatin e “keq” që përballet në grup me 3 prej skuadrave më të forta dhe më të njohura në arenën europiane dhe botërore të futbollit, si Italia, Spanja dhe Kroacia, skuadra për të cilat edhe tifozët asnjëanës, por thjesht tifozët e futbollit, kanë gjithmonë dëshirë dhe kënaqësinë t’i shohin.

Kjo e bën edhe më të vështirë sigurimin e një bilete, pasi duhet të kuptojmë se ne jemi shumë pak, krahasuar, interesimin e futbolldashësve italian dhe spanjoll, për të mos mbetur vetëm te Kroacia që gjithsesi në nivel futbollistik dhe kuriozitet është mbi ne.

Tregu i zi paralajmëron

Megjithatë faqet që shesin në të zezë biletat, pikërisht për ndeshjet e ekipit tonë sinjalizojnë se kërkesa është e madhe dhe se numri i biletave firon me minuta, pavarësisht cmimeve nga 7 deri në 10-fish më shtrenjtë, por kjo jo vetëm nga tifozat shqiptarë.

Nuk duhet të harrojmë që futbolli është loja më e bukur në botë dhe për të qenë në një ndeshje të aktiviteteve të tilla madhore, nuk është e vështirë vetëm të kualifikohesh dhe të luash përballë kundërshtarëve si Spanja, Italia dhe Kroacia, por shumë më e vështirë është që të përballesh me tifozët e këtyre shteteve që e duan kaq shumë futbollin.

Aq shumë në fakt e duam edhe ne, por vetëm se në shifra ata janë shumë herë më tepër se ne. Megjithatë, nga televizori apo nga karrigia e një prej tre stadiumeve, kush ka patur fatin, e sigurtë është që do të jemi me mëndje dhe dëshirën që Shqipëria të ecë sa më shumë përpara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë