Kombetarja

Duka për biletat e Europianit: Janë stadiume të mëdha, do plotësohen kërkesat e të gjithëve

Gazeta Si – Armand Duka, presidenti i FSHF-së, në një intervistë të fundit ka folur për disa tema që kanë të bëjnë me Kombëtaren dhe futbollin kombëtar. Përveçse për kundërshtarët në grup, për të cilët ka folur vazhdimisht, ai preku çështjen e miqësoreve për kuqezinjtë, risive të mundshme në listën zyrtare dhe atë të biletave të ‘Gjermani 2024’.

“Në skuadër është ai që është më mirë në momentin që luhet ndeshja. Kombëtarja nuk njeh moshë, nuk njeh histori, por njeh kush është më i mirë në momentin kur është kompeticioni. Kush është më në formë. Në fakt, kjo nuk është një punë e imja, është e trajnerit dhe e stafit. Kemi më shumë se katër muaj kohë për të qenë atje. Janë edhe ndeshjet miqësore që do luajmë në mars për të parë dhe për të pasur alternativa më shumë se 23. Duhet të jemi të përgatitur për çdo surprizëë në Europian.

Nuk ishin pjesë e kualifikueseve për arsye dëmtimi Broja dhe Kumbulla, apo edhe Manaj që nuk ka qenë për shkak të një forme jo të mirë. Ka futbollistë të rinj gjithashtu që janë rritur dhe mund të rriten akoma më shumë deri në qershor. Stafi duket të ketë në planet e tij më shumë se 30 për të pasur 23 më të mirët në Europian”, - tha Duka për listen në intervistën për Euronews Albania.

Për çështjen e biletave të Europianit, kreu i FSHF-së u shpreh: “Stadiumet ku do të luajmë janë shumë të mëdha dhe besoj se do të plotësohen kërkesat e të gjithëve për të qenë të pranishëm. Procedurat e shpërndarjes së biletave kanë filluar që në dhjetor, nuk e di nëse janë shitur të gjitha kapacitetet, pasi menaxhimin e bën UEFA.

Ne kemi marrë një pjesë të biletave, që ua kemi shpërndarë grupimeve të tifozëve, sponsorëve dhe anëtarëve të Federatës. Ky procesi i joni ka përfunduar me 12 dhjetor. Nuk kam informacion nëse është shitur 100% e kapaciteteve, apo do të ketë edhe një rishpërndarje. ‘Tifozët Kuqezi’ në mënyrë të grupuar i kanë marrë biletat për të treja ndeshjet”.

Për të ardhmen e trajneri Silvinjo, Dua theksoi: “Duhet të diskutojmë për vazhdimin e bashkëpunimit me Silvinjon dhe stafin e tij. Jemi pozitiv për vazhdimin, edhe vetë stafi dhe trajneri po ashtu”.

Silvinjo, Duka dhe Zabaleta festojne pas kualifikimit. Gazeta Si, 31 janar 2024

“Miqësoret? Është bërë publike ndeshja me Suedinë më 25 mars. Besoj se brenda 3-4 ditëve do të bëhet publike edhe ndeshja e pare, sepse në 25 mars është ndeshja e dytë, ndërsa kjo sfidë do të luhet me 21 ose 22 mars. Edhe miqësoret e qershorit pothuajse janë përcaktuar dhe shumë shpejt do bëhen publike.

Të gjithë ekipet që janë në Europian duan të luajnë me kundërshtarë të një niveli vështirësie më të ulët, pasi qëllimi është për të mos pasur dëmtime. Ndeshjet do luhen jashtë, kjo ka qenë edhe kërkesa e trajnerit për t’u përgatitur dhe për të luajtur jashtë. Ndeshjet do të luhen afër kampit, ku do të jetë ekipi”, - tha Duka për ndeshjet miqësore.

Në fund dhe një mendim për formulën e kampionatit, që ka sjellë shumë diskutime: “Nëse nuk do mendoja që do të jetë e suksesshme, nuk do ta mbështesja. Nëse rezulton ashtu siç mendoj unë apo jo, duhet të presim deri sa të përfundojë. Kampionati nuk dëmtohet nga ‘final four’. Të gjitha ekipet po luftojnë për të qenë atje. Mendoj që është e mirë, për ta vërtetuar duhet të presim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë