Politike

Meta për SPAK: Prokurorët, prodhim i politikës. Kanë marrë angazhim personal për t’u marrë me mua

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta komentoi deklaratën e kreut të SPAK, Altin Dumani se ish-Presidenti  është nën hetim dhe nuk mund të jepte deklarata për çështjet që janë në proces.

“S’kam asnjë koment për këtë deklaratë. Kam qenë gjithë jetën në hetim, e di që gjithashtu prokurorë jo që flirtojnë me politikën, që janë prodhimi më i drejtpërdrejtë të saj kanë marrë angazhime personale për tu marrë me Metën për arsye që i dinë mirë. Unë jam këtu, do jem gjithmonë këtu. Të jeni të sigurt se nuk ka asnjë forcë që mundet të zhbëjë PL si një parti të të vërteta të mëdha dhe njëkohësisht nuk ka asnjë zar të Arben Rakipit që për të legjitimuar kapjen e reformës në drejtësi nga Rama përmes shkatërrimit të proceseve kushtetuese, që nga zgjedhja e prokurorëve të përgjithshëm, betimet e anëtarëve të GJK tek Lana, e gjithë ato bëma të tjera, të godasë Ilir Metën që mbrojti reformën në drejtësi. Mbrojtje që u konfirmua edhe nga vetë komisioni i Venecias. Lidhur me përpjekjet e Ramës për ta kthyer SPAK në një komisariat policor anti-opozitë për të shkatërruar pluralizmin politik nuk jam i surprizuar. Asnjëherë s’kam dashur të identifikoj këtë institucion me individë të caktuar që nuk flirtojnë me politikën, por janë prodhim i saj dhe para se të bënin betime me dorën në Kushtetutë kanë bërë betime të tjera që koha po i provon më së miri”, tha Meta.

Meta akuzoi qeverinë për bllokimin e punës se komisionit për reformën zgjedhore ndërsa solli në vëmendje letrën e 47 deputetëve të opozitës ndaj kryeparlamentares Lindita Nikolla ku kërkohet përfaqësimi i tyre në komisionin e Reformës Zgjedhore.

“Është e qartë se punën për komisionin e reformës e bllokon Edi Rama dhe mazhoranca për arsye se rregullorja e Kuvendit e bën të qarrtë parimin e proporcionalitetit si i vetmi parim ku mbështetet përfaqësimi i opozitës. Janë 47 deputetë opozitarë që kanë dorëzuar një dokument kur kërkojnë në mënyrën më legjitime të kenë bashkëkryetarin, jo se ata duan kështu por për shkak të parimit të proporcionalitetit.  Është detyrë e mazhorancës të respektojë këtë parim dhe të zhbllokohet puna e komisionit,” tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë