Politike

Reforma që (s)po duam/ Në Tiranë, Zgjedhorja diskutohet nga … makina

Nga Gazeta Si - Pak ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, njëherazi anëtar i komisionit për reformën zgjedhore deklaroi i ftuar në një emision televiziv se, ishte e pamundur që ky komision të zhvillohej online për vetë problematiken që mbart.

Pyetja ndaj tij vinte me të drejtë pas bllokimit të mbledhjes së parë të komisionit nga grupi Bardhi-Berisha që kërkojnë bashkëkryetarin me argumentin se përfaqësojnë shumicën më të madhe të deputetëve të PD.

Por sot (e premte), në kushtet kur Lindita Nikolla nuk i dha zgjidhje kërkesës së 47 deputetëve të opozitës (bashkë me aleatët) për ndryshimin e përbërjes së komisionit, grupi Bardhi-Berisha bllokoi sërish mbledhjen.

Në një njoftim të dytë, zyra e Kuvendit nuk vonoi dhe ‘gjeti’ përgjigjen e gatshme: Mbledhja do të mbahej online.

Blendi Klosi, i pari që kundërshtoi këtë variant, u detyrua të shfaqej me pak sekonda vonesë në monitorin e mbledhjes online të komisionit. Por nuk u shfaqën as fare aleatët e PD-së dhe PDIU.

Në bllok (përballë PS) ishin vetëm anëtarët e PD-së zyrtare, nga Enkelejd Alibeaj (që mbajti një referat të gjatë)  e deri tek Eralda Bano apo Selaudin Jakupllari. Gjithsej pesë anëtarë të PD-së zyrtare dhe asnjë përfaqësues tjetër nga opozita.

Në anën tjetër deputetët e PS-së në rresht, dikush në zyrë, dikush në një ambient jashtë zyre që kish sfumuar pamjen pas shpine.

Rasti me flagrant ishte ai i deputetit të PS-së Klevis Xhoxhi i rehatuar mirë në një makinë.

Në mbledhjen e parë të rëndësishme pas dy vitesh dështim, komisioni i reformës zgjedhore pati paraqitjen më të keqe.

Një mbledhje memece (me dy protagoniste) dhe deputetë ne ambiente edhe jashtë Kuvendi, që iknin e vinin nga problemet me lidhjen online, me një opozitë në anën tjetër të përgjysmuar me përbërje që pak kush i njeh në publik.

Në mbledhjen e parë zyrtare rend dite ishte shqyrtimi i planveprimit të Komisionit dhe kalendarit të punimeve. Sigurisht mbledhja vijoi e qetë dhe pa debate. Fundja ky duket se është qëllimi i këtij komisioni, forma dhe jo përmbajtja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë