Politike

Basha: Të ndryshohet buxheti, 50 mln euro t’i japim armatim Kosovës

Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha dorëzoi në Kuvend amendamentin ku kërkon ndryshimin e buxhetit të shtetit, për t’i dhënë 50 mln euro Kosovës ndihmë ushtarake, edhe pse Shqipëria është vend i NATO-s

“Duke marrë parasysh situatën e tensionuar të sigurisë në Republikën e Kosovës nën dritën e fakteve të një acarimi të paprovokuar të gjendjes së sigurisë nga Serbia, bëhet e domosdoshme një ndihmë financiare për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë nga ana e Republikës së Shqipërisë për Republikën e Kosovës prej së paku 5 miliardë lekë në vit, duke filluar nga viti 2024. Kjo ndihmë financiare ka për synim forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve ushtarake të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit dhe tërësisë territoriale”

Në argumentet, shoqëruar amendamentit, Lulzim Basha thotë se paratë për ti ardhur në ndihmë Kosovës, duhet të gjenden në shpenzimet e tepërta për restaurim zyrash.

“Duke marrë parasysh shpenzimet kapitale të Buxhetit të Shtetit të vitit 2024, i propozoj Kuvendit të Shqipërisë:

1 - të miratojë uljen nga 129 miliardë e 381 milion lekë në 124 miliardë e 381 milion lekë duke shkurtuar investimet kapitale jo të domosdoshme për mbarëvajtjen e ecurisë ekonomike të vendit, siç janë restaurime zyrash, mobilime, blerje automjetesh, shpenzime kapitale jo-emergjente;

2 - të miratojë një shtesë zëri “ndihmë financiare ushtarake për Republikën e Kosovës” në masën 5 miliardë lekë”, thuhet në amendamentin Basha.

Buxheti i 2024 u miratua në dhjetor për vetëm 8 minuta.

Përpos shifrës, ajo që vlen për tu diskutuar është se a mundet në parim që Shqipëria ta bëjë këtë gje sa kohe që jemi vend i NATO-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë