Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja deklaroi sot se do të vijojë me ndjekjen e projekteve të shumta në procesin e hapjen e horizontit inovativ në kulturë.
Ai vlerësoi punën e ministres paraardhëse të Kulturës, Elva Margariti, duke theksuar se kontributi dhe vizioni i saj kanë vendosur standarde mjaft të larta në Ministrinë e Kulturës.
Ministri Gonxhja siguroi për mbështetje të promovimit të artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
“Përkushtohem të vijoj misionin për të çuar më tej arritjet e deritanishme në fushën e promovimit e mbështetjes së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore! Rikthim i imi mes kolektivit të një ministrie ku kam drejtuar në vitet 1998 – 2000, që natyrisht sot e gjej në një stad krenues, 25 vjet më pas, ku së bashku me ekipin aktual dhe me mbështetjen e Kryeministrit Rama, do të punojmë për mirëmotivimin e të gjitha strukturave, informatizimin dhe modernizimin e aparatit qendror e të varësisë, prurjet e reja në ide e risi, si dhe për ndjekjen me sukses të projekteve të shumta në proces, e hapjen e horizontit inovativ në kulturë”, u shpreh Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Kryeministri Edi Rama njoftoi në nisje të këtij viti krijimin e një ministrie të re, atë të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
“Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial; kur kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër; kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.