Politike

Marrëveshja Meloni-Rama në Kushtetuese/ Ekspertët: E rrezikshme, shkel parimin e ekstra-territorialitetit

Gjykata Kushtetuese nisi të enjten shqyrtimin e marrëveshjes për strehimin e emigrantëve të Italisë në Shqipëri.

DW shkruan në një artikull të saj se ekspertë ligjorë e të sigurisë e konsiderojnë të rrezikshme shkeljen e parimit ndërkombëtar të ekstra-territorialitetit.

30 deputetë të opozitës e konsiderojnë marrëveshjen mes dy vendeve si cenuese të Kushtetutës së Shqipërisë por dhe të ligjit ndërkombëtar.

Që pas firmosjes së marrëveshjes në Romë nëntorin e vitit të shkuar, ekspertë vendas dhe të huaj u shprehën skeptikë për një marrëveshje e cila i jep të drejtën e plotë Italisë për menaxhimin e krizës së emigrantëve, duke shfrytëzuar një territor të huaj të një shteti fqinj si Shqipëria, që nuk është vend anëtar i Bashkimit Europian.

Sipas Dorian Matlisë, jurist dhe drejtues i qendrës ligjore "Res Publica”, aspekti i parë ka të bëjë me abuzimin e parimit të ekstra-territorialitetit. "Në rastin konkret, Shqipëria do të jetë pjesë e shtetit Italian, dhe jo më e shtetit shqiptar. Që do të thotë që do të aplikohet legjislacioni Italian. Çdo gjë që ka të bëjë më të drejtat civile, trajtimet e veprave penale që mund të ndodhin aty, gjithçka do të jetë në zbatim të ligjit Italian.

Ky parim zbatohet zakonisht vetëm për rastet e ambasadave, që janë territore të vogla, të kontrolluara dhe me njerëz që janë të akredituar nga shteti i tyre por nuk përdoret për të sjellë një numër të madh refugjatësh, kur nuk ke asnjë informacion se çfarë kontigjenti janë, sepse mund të ketë njerëz shumë të mirë por edhe njerëz të kontigjentit kriminal” – analizon ai për Deutsche Welle.

Eksperti për çështjet e sigurisë, Arjan Dyrmishi, njëkohësisht drejtues i "Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”, e sheh gjithashtu me skepticizëm marrëveshjen dhe implementimin e saj. "Ky kapacitet prej 3 mijë vetash që do të ngrihet, çfarë shkalle popullimi do të ketë? A do të ketë mbipopullim? Cili do të jetë kontakti me pjesën e jashtme, sepse do të jetë në territor shqiptar. Do të ketë nevojë për furnizime, ushqime etj. Do të jetë si një lloj burgu, por ata njerëz nuk janë të burgosur, ata thjesht do të strehohen këtu.

Janë të pashmangshme marrëdhëniet e tyre me territorin ku do të vendosen dhe këto ngelen të paqarta. Sigurisht në marrëveshje thuhet se Shqipëria do të sigurojë perimetrin, por kjo ka të bëjë vetëm me mosarratisjen. Por ne kemi parë që edhe në burgjet e sigurisë së lartë ndodhin incidente”, thotë Dyrmishi për DË.

Eksperti i ligjeve, Matlija, është plot shpresë se Gjykata Kushtetuese do ta shfuqizojë këtë marrëveshje, sepse në të kundërt hapja e rrugës e ratifikimit të saj në Kuvend, do të shënonte një precedent të rrezikshëm edhe për të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë