Nga Gazeta ‘Si’-Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç , ka thënë të mërkurën(17 janar) se e ka paralajmëruar të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, për veprimet e Prishtinës në procesin e dialogut.
Dy zyrtarët kanë zhvilluar takime në Forumin Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos të Zvicrës.
“Bisedë e hapur me Mirosllav Lajçakun për situatën në Kosovë dhe Metohi dhe kërcënimet me të cilat përballet popullata serbe çdo ditë, të cilat kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit”, ka thënë Vuçiç përmes një postimi në Instagram.
Vuçiç i ka përsëritur disa herë ato që i konsideron kërcënime ndaj popullatës serbe në Kosovë, por pa ofruar fakte për pretendimet e tij.
Sipas Vuçiçit, Serbia ka qasje të përgjegjshme në dialogun mes dy vendeve, por janë veprimet e Prishtinës ato që “vënë në pikëpyetje gjithçka që është arritur deri më tani në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”.
Në këtë Forum po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por nuk dihet nëse ai do të ketë një takim me Vuçiç in këto ditë.
Ditë më parë, Lajçak ka diskutuar për dialogun edhe me zëvëndëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, po ashtu në Davos, me të cilin ka biseduar për tema të dialogut, me theks të veçantë nevojën për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




