Nga Gazeta Si- Ndër shekuj, jehona e isos së Jugut dhe tupanat e Veriut kanë dhënë lajme të gëzuara, por edhe të trishta, një mënyrë kjo se si populli ynë komunikonte dikur.
“Jehona jonë”, si lajmërim i ditëve të bukura të vitit që sapo erdhi, do të kumbojë në skenën e TKOB-së nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore.
Nga Çamëria deri në Korab, traditat më të bukura shqipe, këngët, vallet, vajet e gëzimet, do të vijnë të interpretuara nga artistët e Ansamblit Popullor mbrëmjen e 16 janarit.
Drejtori artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, violinisti Alban Tahiri thotë se e veçanta e këtij koncerti është dhe performanca që do të dhurojë orkestra këtë mbrëmje për publikun që do të ndjekë “Jehona jonë”.
“Koncerti ‘Jehona jonë’ vjen me numra artistikë të zgjedhur. Kemi vallen masive nga gjithë trevat, këngë korale, këngë polifonike, orkestrale të Agim Krajkës, etj. Por më e veçanta e këtij koncerti, Orkestra e Ansamblit Popullor ka tre numra që do shoqërojë veten e vet dhe do të këndojë po vetë. Ka një kolazh të Tiranës, kolazh Shkodre dhe Veriu, që interpretohen nga vetë orkestra e ansamblit”, thotë drejtori artistik, Alban Tahiri.
Violinisti Tahiri thotë se në këtë program të zgjedhur janë dhe disa nga vallet më të njohura ndër vite.
“Koncerti vjen me një program artistik nga të gjitha trevat, ku do të interpretohen dhe vallet më të njohura, si ‘Festë të madhe ka sot Shqipëria’ dhe ‘Vallja e shqipeve’ nga Panajot Kanaçi apo dhe ‘Vallja e qypave’ e Gëzim Kacelit”, thotë Alban Tahiri.
Orkestra, solistët, grupi i valleve dhe grupi koral i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore do të bëhen bashkë në skenë këtë mbrëmje.
“Çorapet me vija” është një këngë e vjetër tradicionale, e cila do të vijë e ripunuar nga artistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, në koncertin “Jehona jonë”. “Ç’u ngrit lulja në mëngjes” është një tjetër këngë që do të interpretohet këtë mbrëmje, etj.
Interpretimet e këngëve dhe valleve do të vijnë si nga figura që kanë hedhur themelet, po ashtu edhe nga të rinj që do ta vazhdojnë traditën.
“Kemi shumë të rinj që janë afruar kohët e fundit, në sektorin e valleve, të orkestrës dhe të korit. Vallet tona padiskutim që nuk do kenë devijim. Ne kemi hapur konkurs për koreolabus për krijimtari të re, por kurrsesi që të dalim nga tradita burimore e këtyre perlave”, vijon më tej Tahiri, ndërsa shton se “si drejtues i Ansamblit së bashku me drejtoreshën Abigeila Voshtina kemi menduar që të bëjmë koncert për 12 qarqet e vendit. Pra, çdo qark do ketë hapësirën e tij që të performojë së bashku me trupën e Ansamblit Popullor”.
Pasurimi me artistë edhe në trupën e valleve, duket si një vulë që rrëzon parashtrimet klishe, se të rinjtë as nuk e njohin dhe janë larg traditës. Pasionin dhe dashurinë për këngët dhe vallet shqiptare, këta të rinj duket se e kanë ushqyer që në vegjëli.
“Artistët të rinj që do performojnë janë Denisa Gjezo, e cila vjen me një këngë të re polifonike. Po ashtu kemi një duet shumë të bukur të Aranit Hoxhës dhe Adela Mesutit. Kemi te vallet të rinjtë Flavio Xhaferi, Arlinda Mulgeci, Rei Berisha, Amber Dema etj”, përfundon Tahiri për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.