Politike

Begaj përcjell mesazhin për deputetët nga Presidenca: Kthejuni bashkëpunimit, Kuvendi ka nevojë për opozitën

“Isha përgatitur që sot ti drejtohesha Kuvendit, në sallën e seancës plenare me rastin e fillimit të sesionit të ri parlamentar. Nuk është hera e parë që Presidenti i drejtohet Kuvendit me mesazh. Për çdo çelje sesioni gjeni mesazhin e Presidentit.

Sot zgjodha të komunikoj drejtpërdrejtë me deputetët për shkak të rrethanave që shoqëruan mbylljen e sesionit të kaluar”, lexoi që në fillim të mesazhit të parapërgatitur, Presidenti Bajram Begaj, nga selia e Presidencës, aty ku u detyrua të mbajë fjalën, në pamundësi të përcjelljes së mesazhit nga Kuvendi, pasi u pengua nga një pjesë e deputetëve të opozitës.

“…Kuvendi ka nevojë për opozitën, ka nevojë për zërin e saj, argumentat e saj, si dhe përballjen në debate me ide dhe argumente.

Bashkëpunimi vullnetmirë midis forcave politike ka fuqinë të japë zgjidhje dhe të çliroje energji pozitive.

 Në Kuvend duhet kultivuar demokracia, frymëzimi për të tashmen dhe shpresa për të ardhmen”, tha ndër të tjera Begaj. Ai nënvizoi gjithashtu: “Jam i bindur se deputetët dhe klasa politike mund të gjejnë forca që konfliktin politik ta zëvendësojnë me bashkëpunim konstruktiv. Përçarjen ta këmbejnë me frymën e shenjtë të parlamentarizmit demokratik dhe shtetit të së drejtës, pa shuar debatin, që institucionet e shtetit të forcohen.

Në demokraci përballja e ideve brenda kornizës së respektit për tjetrin dhe vetëpërmbajtja  janë domosdoshmëri.

Prandaj debati lipset konstruktiv. Kuvendi është skena e ballafaqimit të ideve, jo arena e luftës ndaj kundërshtarit. Është dora e shtrirë ndaj kompromisit dhe dialogut.

Sesioni i kaluar i Kuvendit, fatkeqësisht, shpenzoi më shumë kohë për agjenda joparlamentare, se sa për çështje madhore për vendin. Koha e humbur në theksimin e ndasive nuk kthehet më.

Ky sesion i ri parlamentar është një mundësi e re për ju deputetë që të ri-orientoni dialogun për të mirën e përbashkët, interesin kombëtar dhe konsolidimin e pozitave të Shqipërisë në rajon, me BE-në dhe aleatin tonë stategjik SHBA.

Ndaj uroj t’i riktheheni bashkëpunimit parlamentar dhe të rigjeni qëllimin e humbur”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë