Politike

Grupi ‘Bardhi’ i bie bilbilave, Begaj s’mban dot fjalën, PS miraton dy ministrat e rinj (ambasadorët dhe Basha vëzhgojnë)

Deputetët e grupit parlamentar të drejtuar nga Gazment Bardhi kishin gjetur një mënyrë të re për të pamundësuar normalisht punimet e Kuvendit në fillim të sesionit të ri parlamentar. Ata rrethuan podiumin duke fishkëllyer me bilbila dhe krijuar zhurmë akustike në sallë, një formë e re për t’ju shmangur ndoshta edhe masave të rrepta që parashikon rregullorja e re në përjashtimin e deputetit deri në dy muaj në rast se prish punimet normale të Kuvendit.

Bardhi kërkoi largimin e Gardes edhe përmes disa parrullave, ndërsa nuk u mundësua as fjala e paralajmëruar nga Barjam Begaj i pranishëm në sallë. Begaj lajmëroi më vonë se mesazhin do ta përcjellë nga Presidenca.

Nën zhurmën e bilbilave, mazhoranca miratoi me 73 vota pro dy ministrat e rinj të dekretuar më herët nga Presidenti, Blendi Gonxhe dhe Adea Pirdeni.

Në seancë është votuar nga vendi edhe deputeti më i ri i PS-se që zëvendëson Ahmetajn, Plarent Ndreca

Seanca zgjati vetëm 13 minuta, ndërsa u larguan kryeministri Edi Rama, dy ambasadorët e pranishëm në sallë ai gjerman dhe britanik si dhe Presidenti i Republikës.

Në sallë ishte edhe Lulzim Basha i cili bashkë me Enkelejd  Alibeajn qëndruan ulur pa përcjellë asnjë reagim për ish- kolegët e tij në PD.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë