Ka ndodhur

U tremb nga tërmeti, 18-vjeçari në Lushnjë pëson infarkt dhe humb jetën

Gazeta Si – Lëkundjet sizmike që u regjistruan pak pas mesnatës së kësaj të diele, kanë regjistruar viktimën e parë.

Daniel Rika, 18 vjeç nga fshati Çinar humbi jetën në përpjekje për të dalë nga banesa. Familjarët e të ndjerit shprehen se i riu humbi jetën nga paniku dhe se vetë kishte probleme shëndetësore.

“Ka qenë pak i sëmurë, ra tërmeti e ëma e zgjoi nga gjumi për të dalë jashtë, i ka rënë infarkt”.

“Pas tërmetit e kanë ngritur djalin se ra tërmet dhe për momentin djali është ngritur, është trembur dhe i ka rënë infarkt”.

Trupi i të riut është dërguar për ekspertizë në spitalin e qytetit të Lushnjës.

Qendra Sizmologjike raporton se tërmeti ishte me magnitudë 4.3 sipas shkallës Rihter, me thellësi 15 kilometër dhe me epiqendër në Shalës të Elbasanit.

Tërmeti me magnitudë 4.3 të shkallës Rihter u ndje në orën 00.17 të së dielës me epiqendër pak kilometra larg Lushnjës.

Për pasojë tërmeti u ndje edhe në shumë qytete të tjera si Tiranë, Durrës, Kavajë, Fier, Korçë, Pogradec, Vlorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë