Ngjarje

Shkrumbohet nga flakët një banesë në Lezhë, kryefamiljari kërkon ndihmë: Kanë mbetur vetëm muret

Gazeta Si – Një banesë është përfshirë nga flakët mëngjesin e së dielës në fshatin Kodhel të Blinishtit në Lezhë, ku raportohet se ka vetëm dëme materiale.

Në momentin që ka rënë zjarri, ndodheshin katër persona në banesë, ndërsa kryefamiljari L.M., kishte dalë për në punë. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit.

Pesë anëtarë të familjes kanë mbetur në qiell të hapur, pasi zjarri u ka shkrumbuar banesën. Flakët, që dyshohet se nisën nga një shkëndijë elektrike, janë përhapur me shpejtësi në të gjithë shtëpinë duke përpirë gjithçka gjetën përpara.

Fatmirësisht nga zjarri nuk ka persona të lënduar, por djali ka rrezikuar jetën në përpjekje për të shuar flakët me mjete rrethanore.

Zjarrfikësit që mbërritën në vendin e ngjarjes shuan plotësisht flakët, por pa mundur dot të shpëtojnë asgjë që ndodhej brenda banesës. Shkak dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike. I zoti i shtëpisë kërkon ndihmë pasi thotë se i kanë mbetur vetëm muret e shtëpisë dhe se gjithçka është shkrumbuar.

“Kam shkuar në punë si përditë, e lashë familjen në gjumë. E ka parë djali, kanë parë në tavan flakën. Unë isha tek puna, djali ka hap dyert dhe ka dalë direkt jashtë. Vetëm muret kanë mbetur. Kërkoj që të ndihmojnë, vetëm me dalë në plastmas. Nuk ka mbetur asnjë gjë. Dyshohet se ka ardhur nga rryma elektrike, një copë darrasë në tavan ka marrë direkt”, – ka thënë kryefamiljari


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë