Ata që për shumë vite kanë shërbyer në Forcën e Sigurisë së Kosovës i gëzohen lajmit për blerjen e 246 raketave antitank. Sipas tyre, kjo paraqet një siguri për mbrojtjen e territorit.
Afrim Veseli, i cili për më shumë se dy dekada shërbeu në Ushtrinë e Kosovës, i është gëzuar lajmit për blerjen e raketave “Jevelin”. Veseli, tashmë kolonel në pension, tregon për përdorimin e tyre dhe teknologjinë e avancuar të ka ky sistem raketor.
"Është një sistem i avancuar, përdoret ne luftën kundër tankeve. Në praktiken e fundit mes Ukrainës dhe Rusisë ka treguar një sukses të jashtëzakonshëm ky sistem. Fillimi i prodhimit të tyre ka qenë diku ne 1996, është prodhim amerikan. Përdoret nga një ushtar gjegjësisht dy. Ka një goditje jashtëzakonisht precize”, tha Afrim Veseli, kolonel në pension i FSK-së.
"Kjo paraqet një siguri për mbrojtjen e territorit. Territori i Kosovës mbrohet nga NATO dhe në forcim nga ushtria jonë dhe që të dyja bashkë kur bëhen qytetaret e Republikës së Kosove duhet të ndihen të sigurt. Territori i Kosovës është i Kosovës dhe sovraniteti i saj do të jenë të paprekshëm", shtoi ai.
Për blerjen e sistemit raketor “Javelin”, Xhavit Gashi, gjeneral ushtarak në pension, mbrëmë në RTK tha se është një lajm shumë i mirë për Kosovën, për aspektin strategjik të sigurisë vendore dhe rajonale, por edhe për NATO-n.
“Nuk është vetëm në raport me kërcënimet apo raportet armiqësore me Serbinë, por duke pasur parasysh se Kosova është një faktor i rëndësishëm në rajon, edhe armatosja apo pajisja me e Kosovës, e Forcës së Sigurisë së Kosovës me këtë sistem raketor e bënë më të fort edhe sigurinë rajonale edhe NATO-n”, tha Xhavid Gashi, gjeneral ushtarak në pension.
Departamenti Amerikan i Shtetit të enjten konfirmoi kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave antitank. Pentagoni e quan shitje të mundshme të 246 raketave Javelin në Kosovë në vlerë prej 75 milionë dollarësh. Kjo shitje e propozuar thuhet se do të mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë./rtk
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.