Ngjarje

Saga e hakmarrjes Papa-Sadikaj / Lidhjet e të plagosurit në Tiranë me dy vrasjet, 15 gëzhoja në vendin e ngjarjes

Nga Gazeta Si- Një atentat ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:55 tek Rrethi i Selitës, ku si pasojë mbeti i plagosur me armë zjarri 35-vjeçari Zamir Kalemi.

Autorët që lëviznin me një mjet tip “Nissan” kanë gjurmuar objektivin dhe kur kanë qenë afër tij, kanë hapur zjarr me kallashnikov. Pasi autorët janë larguar, Kalemi ka arritur të dalë nga mjeti i tij tip “Smart” dhe me një makinë të rastit është dërguar në spitalin e traumës.

Sipas informacioneve paraprake, tregohet se Kalemi ka mbetur i plagosur në këmbë dhe shpatull por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje janë gjetur 15 gëzhoja. Ndërkohë mjeti që dyshohet se është përdorur për atentatin është gjetur i djegur në zonën e Bërzhitës ndërsa autorët janë larguar në drejtim të paditur.

Për momentin, policia po kreh zonën që prej mbrëmjes së djeshme për të rënë në gjurmët e autorëve.

Nga verifikimi i targave rezultoi se ato kanë qenë të vjedhura që në vitin 2018 në Tiranë.

Kush është Zamir Kalemi

Personi që mbeti i plagosur është vëllai i Adriatik (Andrea) Kalemit, të cilit i janë bërë disa atentate në Greqi. Ai mbeti i plagosur gjatë një atentati me armë në 9 gusht 2023 në ishullin Paxos të Greqisë dhe u plagos sërish me thikë më 14 dhjetor 2023 në burgun e Koridhalos.

Kalemajt janë kushërinj me Aleksandër Sadikajn, (djemtë e dajës), i cili u ekzekutua me tritol në Tiranë më 11 qershor 2022. Makina e  tij shpërtheu në ecje e sipër përmes një shpërthimi me telekomandë.

Andrea Kalemi është hetuar edhe për vrasjen e Edmond Papës për hakmarrje. Ky i fundit është vrarë në zonën e Selitës më 16 dhjetor 2022. Ai u ekzekutua me 9 plumba për hakmarrjen e vrasjes së Sadikajt.

Zamir Kalemi rezulton i arrestuar në vitin 2020 për përfshirje në lojëra fati.

Një pistë e këtij atentati është hakmarrja, pasi i vëllai, Andrea Kalemi dyshohet i implikuar në vrasjen e Edmond Papës dhe vrasjen e dy personave në Belgjikë. Dyshohet se për vrasjen e Papës kanë marrë pjesë dy shokët e tij.

Kalemi dyshonte se vrasja e Sadikajt është organizuar në Sarandë, në hotelin e Edmond Papës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë