Rend dhe Ligj

Plagoset me armë 51-vjeçari shqiptar në Greqi, i afërm i Aleksandër Sadikajt dhe i dyshuar në vrasjen e Edmond Papës

Gazeta Si - Një shqiptar, i identifikuar si Andrea Kalemi, ka mbetur i plagosur në Paxos të Greqisë. Bëhet fjalë për një 51-vjeçar sipas mediave greke, i cili kishte shkuar në vendin fqinj për pushime.

Burime shprehen se Kalemi ka qenë i përfshirë në vrasjen e Edmond Papës më 16 dhjetor 2022 në Tiranë, në zonën e Selitës. Ky i fundit u ekzekutua me 9 plumba për hakmarrjen e vrasjes së Aleksandër Sadikajt, i afërmi i Andrea Kalemit.

Po ashtu, ai është akuzuar se ka vrarë dy persona në Belgjikë në vitin 2001. Sipas të dhënave, Kalemi ka hyrë në datën 5 gusht në Greqi nga Kakavija, së bashku me gruan tre fëmijët.

Ngjarja

Siç shkruajnë mediat, 51-vjeçari është plagosur në portin e Lakka-s dhe dyshimet e para janë për larje hesapesh.

Autor i dyshuar i ngjarjes është një bashkëatdhetar, i identifikuar nga autoritetet. Ky i fundit ka shkuar atje nga një ishull i Italisë.

Gazeta "Protothema" shkruan se shqiptari u plagos pas një sherri që pati fillimisht mes dy personave. Në momentin e krimit nuk ka pasur dëshmitarë, por disa persona thanë se dëgjuan një të shtënë dhe kur dolën jashtë panë një person të shtrirë në tokë. Pas kësaj 51-vjeçari u dërgua në spital ku ndodhet në gjendje të rëndë.

Policia po vijon hetimet për këtë ngjarje, ndërsa është shpallur në kërkim autori. Dyshohet se i plagosuri shqiptar në Greqi mbante dy emra Adriatik alias Andrea Kalemi.

Dyshimet

Ndërkaq mësohet se Kalemi është kushëri i parë me Aleksandër Sadikajn, saktësisht djali i dajës së Aleksandrit, i cili mbeti i vrarë në një tjetër atentat me tritol në makinën e tij në zonën në afërsi të Saukut në Tiranë.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në 11 qershor të vitit 2022, ku makina me të cilën udhëtonte 27 vjeçari Aleksandër Sadikajt shpërtheu në ecje e sipër rreth orës 13:35m përmes një shpërthimi me telekomandë.

Për vrasjen e Papës dyshohet se kanë marrë pjesë dy shokët e Andrea Kalemit. Albano Velo u arrestua, ndërsa tjetri, Andrea Bode është shpallur në kërkim.

Prokuroria ka dalë në rezultatin se Andrea Kalemi ka lidhje të ngushta shoqërore me Velon dhe Boden. Ata kanë pasur dyshime të vazhdueshme se vrasja e të riut Sadikaj u organizua në Sarandë, pikërisht në hotelin e Edmond Papës.

Kush është Andrea Kalemi

Kalemi në fakt nuk është një emër i panjohur për policinë shqiptare. Në vitin 2001, ai rezulton i arrestuar nga forcat speciale RENEA.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij, Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë, Mevlan dhe Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.

Në vitin 2017, Kalemi është arrestuar në Tiranë sëbashku me 2 persona të tjerë, pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë E.V., i cili u dërgua në spital.

Andrea Kalemi rezulton që të jetë edhe pronar i disa kompanive të ndryshme që merren me tregti mallrash industriale, ushqimore, bujqësore dhe blegtorale.

Në emër të tij janë edhe një bar bufe, restorant, pika servisi, parkim automjetesh, lavazh, hotele, agjenci të pasurive të patundshme, agjenci transporti dhe mallrash brenda dhe jashtë vendit si dhe aktivitete të ndërtimit. Ai ka edhe një kompani pastrim gjelbërimi. Në vendlindjen e tij, në Memaliaj, Kalemi rezulton të ketë një bujtinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë