Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në qytetin e Burrelit, ku si pasojë e rënies së zjarrit janë djegur 5 banesa.
Sipas policisë lokale të Matit, fillimisht zjarri ka rënë tek njëra banesë dhe më pas zjarri ka agravuar edhe tek 4 banesat e tjera, të cilët ishin me çati të përbashkët.
Zjarri ka shkrumbuar të gjitha orenditë e 5 shtëpive. Fillimisht zjarri është pikasur nga njeri prej banorëve, ku ka lajmëruar edhe banorët e tjerë të cilët kanë dalë nga banesat, ku më pas kanë njoftuar zjarrfikësen.
Edhe pse zjarrfikësja ka shkuar në vendngjarje, nuk ka mundur të shpëtojë asnjërën nga shtëpitë, pasi zjarri ishte përhapur me shpejtësi.
Banorët e pesë banesave të djegura në Burrel shprehen se mbrëmë kanë rrezikuar jetën, por fatmirësisht arritën të dalin nga banesat.
Aktualisht banorët e 5 banesave të djegura, natën e kanë kaluar tek të afërmit e tyre dhe se janë në pritje të një zgjidhje nga ana e bashkisë Mat.
Për ngjarjen ka dalë në një njoftim edhe drejtori i Emergjencave Civile, Bashkia Mat, Nezir Sinani ku thotë se shkak i zjarrit mund të jetë i ftohti.
“Sot po bëhet verifikimi i situatës dhe arsyeja mund të jetë edhe i ftohti pasi familjarët përdorin për ngrohje sistemin elektrik. Kemi pasur dhe 4 raste të tjera më parë në zonat përreth”, tha Sinani për mediat.
Ai tregoi se banesat ku këto familje jetonin janë të palegalizuara dhe se më herët kanë qenë magazina të vjetra që më pas janë kthyer në shtëpi.
Në 5 banesat jetonin 2 familje me nga 3 fëmijë dhe dy çifte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




