Emërimi i Blendi Gonxhes me një dikaster të ri nuk është firma e fundit e Edi Ramës këto kohë drejtuar Presidentit të Republikës, Bajram Begaj
Në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, Edi Rama, ka shpjeguar në një postim të gjatë në platformën X se do të ngre ministri të re për administratën publike dhe antikorrupsionin.
“Duke qënë se kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike, për të rritur krahas pagave konkuruese dhe cilësinë e burimeve tona njerëzore, duke adresuar të gjitha hallkat e procesit të funksionimit të saj, nga rekrutimi deri tek promovimi i nëpunësve; duke rishikuar me një sy më kërkues e me ekspertizë më të konsoliduar organizimin e institucioneve, strukturat e funksionet e tyre, proceset e punës e të ndërveprimit mes tyre; duke krijuar kushte më të mira e mekanizma të qëndrueshëm për motivimin e për trainimin e trupës sonë të Shërbimit Civil dhe me radhë…
Po ashtu është e udhës që politikat antikorrupsion të qeverisë të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen”, shkruan Rama.
Ai njofton se i ka dërguar Presidentit të Republikës propozimin për miratimin e një tjetër anëtari të ri të kabinetit qeveritar, si Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Këtë detyrë do ta mbajë Adea Pirdeni, e cila ka kryer tre vjetët e fundit rolin e zv.ministres së drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.