Gazeta Si – Kompania “United Airlines”, gjatë inspektimeve të avionëve “Boeing 737 Max 9”, gjeti disa bullona të liruara.
Këtë e deklaroi vetë kompania ajrore në një shënim, duke treguar se “inspektimet paraprake” kanë zbuluar probleme instalimi me bullonat e liruara në disa raste.
Probleme që do të korrigjohen për një rikthim të sigurt në shërbim të avionit. “Kontrollet e menjëhershme” u urdhëruan nga Autoriteti i Aviacionit Civil të SHBA-së, pasi dera dhe një pjesë e trupit të avionit të “Alaska Airlines” u rrëzua gjatë një fluturimi të premten pasdite, duke detyruar një ulje emergjente.
“Alaska Airlines” tha gjithashtu se kishte gjetur pjesë të lirshme mekanike në disa avionë “Boeing 737 Max 9”.
Anomalitë u gjetën gjatë inspektimeve të kryera pas aksidentit të së premtes së kaluar, kur një aeroplan u detyrua të bënte një ulje emergjente në Portland, Oregon, për shkëputjen e derës së pasme.
Autoritetet indoneziane kanë urdhëruar pezullimin e fluturimeve të tre aeroplanëve “Boeing 737 Max 9” të linjës ajrore “Lion Air”, pavarësisht se avioni kishte konfigurime të ndryshme nga ato të avionit që duhej të bënte një ulje emergjente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, një pjesë e derës së shkëputur të aeroplanit të “Alaska Airlines” pas nisjes nga Portland të premten u gjet në oborrin e shtëpisë së një mësuesi, raportuan hetuesit, të cituar nga BBC.
Autoritetet po kërkonin pjesën që ishte shkëputur në disa zona të qytetit, nga ku sapo ishte nisur “Boeing 737 Max 9”. Për momentin rreth 171 avionë “Boeing 737 Max 9” mbeten në tokë për kontrolle sigurie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



