Gazeta Si – Një zhurmë poshtë banesës pas mesnate u bë shkak për të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e të hënës në lagjen Rus në Shkodër.
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30, ku protagonist ishte 83-vjeçari Fasli Hyka, i cili i bezdisur nga zhurma e lokalit poshtë shtëpisë së tij zbriti me armë gjahu me vete.
Pasi debatoi me dikë hapi zjarr në drejtim të një makine të parkuar dhe më pas u ngjit lart në shtëpinë e tij.
Nga aty kundërshtoi oficerët e policisë që u njoftuan pas të shtënave. Rezistenca e 83-vjeçarit zgjati deri në orën 02:00.


Në vendngjarje mbërriti edhe djali i autorit të dyshuar, por refuzoi edhe të birin. Në këto kushte forcat e FNSH hodhën zhurmuesen dhe në pak sekonda arrestuan shtetasin Fasli Hyka, duke e finalizuar me sukses këtë operacion, i cili zgjati për afro 3 orë e gjysmë.
Të moshuarit pas arrestimit iu gjet çiftja me të cilën qëlloi në drejtim të tre të rinjve si dhe një armë tjetër automatik kallashnikov që e mbante në shtëpi të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Mësohet se çiften deri në vitin 2012 e kishte me leje ndërsa prej asaj kohe e mbante pa leje në banesë.
Fatmirësisht nga ngjarja nuk pati njerëz të lënduar. Ndërkohë mësohet se shtetasi Fasli Hyka vuan nga problemet e shëndetit mendor, ndërsa ka edhe disa sëmundje të tjera, si dhe ka humbur shikimin tek njëri sy.
Komshinjtë dhe tregtarët në Rus e njohin 83-vjeçarin si një person problematik i cili edhe herë të tjera i ka kërcënuar.
Tre të rinjtë u shoqëruan në polici për të dhënë një dëshmi ndërsa 83-vjeçari u arrestua.
Në këtë ngjarje morën pjesë mbi 50 forca policie ndërsa i pranishëm ishte edhe drejtori i policisë vendore të Shkodrës Edmond Sulaj, i cili drejtoi këtë operacion. Policia po heton për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




