Ka ndodhur

Tentuan të kalonin në kufi emigrantë të paligjshëm, arrestohet 39-vjeçari dhe 2 bashkëpunëtorët e tij

Nga Gazeta Si – Një 39-vjeçar është arrestuar nga policia e Korçës, nën akuzën e kalimit në kufi të emigrantëve të paligjshëm, ndërkohë që në pranga kanë përfunduar edhe dy bashkëpunëtorët e tij, të cilët kontrollonin rrugën me një automjet tjetër, për prezencën e Policisë.

Të arrestuarit u kapën në flagrancë ndërsa transportonin 4 emigrantë të paligjshëm, kundrejt pagesës.

Policia njofton se janë sekuestruar 2 automjete dhe 3 celularë.

Të arrestuarit janë -Y. K., 39 vjeç, banues në Borizanë, Fushë Krujë, A. Rr., 46 vjeç dhe F. Gj., 29 vjeç, të dy banues në Laç.

“Shërbimet e Policisë, gjatë operacionit, bënë të mundur kapjen e shtetasit Y. K., në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, duke transportuar me automjetin tip “Opel Zafira”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt pagesës, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga hetimet e kryera, rezulton se të implikuar në këtë veprimtari kriminale janë edhe dy shtetasit e tjerë, F. Gj. dhe A. Rr., të cilët me një automjet tip “Ford Focus”, me drejtues 29-vjeçarin dhe pasagjer 46-vjeçarin, monitoronin rrugën, për të sinjalizuar shtetasin Y. K., në rast se kishte prezencë të shërbimeve të Policisë në rrugë”, shkruhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë