Ka ndodhur

Dy aksidente tragjike në Fushë Krujë dhe Tiranë, mes viktimave dhe një 4-vjeçar

Gazeta Si – Dy aksidente tragjike me dy viktima kanë ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në Fushë Krujë dhe në Tiranë pranë zonës së TEG-ut.

Policia bën me dije se një automjet tip “Benz” ka përplasur një kalimtar bashkë me djalin e tij 4 vjeç në Fushë Krujë, ku fatkeqësisht i mituri nuk u ka mbijetuar plagëve të marra.

Mësohet se drejtuesi i makinës është shoqëruar në komisariat. “Më datë 06.01.2024, në rrugën Fushë Krujë-Tiranë, në fshatin Tapizë, mjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin E. B., ka aksidentuar shtetasin V. B., dhe fëmijën e tij të mitur 4 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra nga aksidenti, 4-vjeçari ka ndërruar jetë në spital. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Polici për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, thotë policia.

Po ashtu, një tjetër aksident është shënuar në afërsi të mbikalimit të TEG-ut mbrëmjen e sotme. Policia e Tiranës bën me dije se një makinë ka përplasur për vdekje një 55-vjeçar.

“Më datë 06.01.2024, në afërsi të mbikalimit të Teg-ut, mjeti me drejtues shtetasin A. B., 23 vjeç, ka aksidentuar shtetasin E. P., 55 vjeç, i cili si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë