Gazeta Si – Një 52-vjeçar shqiptar, Fraklin Xhelaj, është ekstraduar nga Franca si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Lionin.
GJKKO, me vendimin e datës 19.07.2021, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Xhelaj në bashkëpunim me shtetas të tjerë, të organizuar në formën e grupit të strukturuar kriminal, dyshohet se është përfshirë në trafikun e heroinës, duke e transportuar mes Greqisë, Shqipërisë, pjesërisht edhe në Maqedoninë e Veriut.
Nga hetimet me metoda speciale, ai dyshohet të jetë përfshirë në tri episode të ndryshme të kësaj veprimtarie kriminale, gjatë vitit 2016, dy prej të cilave kanë mbetur në tentativë.
Nga hetimet dhe veprimet e bashkërenduara midis autoriteteve gjyqësore shqiptare dhe atyre greke është bërë i mundur sekuestrimi i rreth 27 kg heroinë. Fraklin Xhelaj i përfshirë në këtë veprimtari kriminale, kishte pseudonimin “Bebi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



