Kosova

Kurti për liberalizimin e vizave: U hoq një padrejtësi dhe u fitua një e drejtë e madhe

Nga Gazeta ‘Si’ – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka uruar sërish qytetarët e Kosovës për heqjen e vizave.

Para mediave, Kurti tha se sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë. Ky është grupi i parë i qytetarëve që udhëtojnë pa viza pasi janë fituesit e kuizit të Bashkimit Europian, që është organizuar në kuadër fushatës informuese të Qeverisë së Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave.

Kurti tha se për vite të tëra qytetarët u privuan nga e drejta për të lëvizur pa viza në zonën Schengen.

“Kemi pritur shumë gjatë, nga sot po hiqet një padrejtësi. Qytetarët tanë tashmë do të mund të lëvizin në 32 vende. Sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë të cilët kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës tonë. Të respektojnë kriteret, dhe kudo që të udhëtojmë mos të harrojmë se shtëpia jonë është Kosova. Urime viti i ri dhe për herë të fundit urime liberalizimi i vizave”, tha Kurti.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë parë qytetarë që po presin të udhëtojnë pa viza drejt shteteve evropiane.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë