Gazeta Si – Medaljet e Luiza Gegës (tashmë të zakonshme) në Serbi dhe Poloni, pjesëmarrja e saj në finalen e Botërorit të atletikës, kanë vlera të padiskutueshme për sportin shqiptar. Po ashtu, medalja e artë në karate e Alvin Karaqit në Lojërat Europiane është një tjetër sukses i madh, ashtu si sezoni i shkëlqyer që po zhvillon me Romën volejbollistja dhe kapitenia e Kombëtares, Erblira Bici.

Janë arritje ndërkombëtare dhe mbeten pjesë e rëndësishme e historisë, por viti 2023 do të mbahet mend mbi të gjitha për emocionet e mëdha që na ka falur Kombëtarja e futbollit, rezultatet impresionuese të saj dhe kualifikimi për herë të dytë në një Europian.
Kuqezinjtë kanë zhvilluar pa dyshim fushatën eliminatore më të mirë të të gjitha kohërave gjatë këtij viti. E udhëhequr nga trajneri Silvinjo, që ka bërë për vete gjithë shqiptarët, për herë të parë në histori Shqipëria ka zënë vendin e parë në grupin e saj kualifikues, duke lënë pas dy emra të mëdhenj, si Polonia dhe Çekia.
Punë fantastike nga stafi teknik, gjetje brilante për formacionin me emra të rinj dhe fusha ka treguar qartë se biletën e Euro 2024 e kemi merituar plotësisht. Ecuria e kuqezinjve ka bërë bujë në futbollin europian, ndërsa ‘Air Albania’ ka qenë ‘sold out’ gjithë kohën.

Golat spektakolarë të Jasir Asanit, Nedim Bajramit dhe Kristjan Asllanit, asnjë gol i pësuar në shtëpi dhe një nga mbrojtjet më të mira të eliminatoreve flasin qartë për një skuadër ndryshe, për një Kombëtare sulmuese, me një profil më brazilian dhe mbi ta gjitha fituese.
Shqipëria tani ka një skuadër, që nuk ka frikë të paërballet me sëknd, as me emra të mëdhenj, si Spanja, Italia dhe Kroacia, kundërshtarët tanë të grupit në Gjermani. Kuqezinjtë tanë dinë të interpretojnë një futboll të bukur dhe argëtues, që në Europianin e 2024-ës mund të bëjë të tjera surpriza…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.