Politike

“2023-shi, viti më i mirë për Shqipërinë në çdo aspekt”/ Rama: Rritja ekonomike afër 4%

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, e konsideroi 2023-shin si një vit shumë të mirë për Shqipërinë.

Kreu i qeverisë shtoi se viti do të mbyllet me një rritje ekonomike prej afro 4 %, shifër që tejkalon parashikimin e qeverisë dhe të institucioneve ndërkombëtare.

“Ndjehem më mirë se në asnjë vit të mëparshëm si rezultat i gjithë ecurisë së vitit që po mbyllim që ka qenë viti më i mirë për Shqipërinë në çdo aspekt. Viti më i mirë në aspektin ekonomik, gjithmonë këtu duhet pasur parasysh paranteza në raport me vitet e shkuara dhe jo në raport me sa shumë ende duhet bërë në çdo drejtim dhe në radhë të parë për arritjen e mëtejshme të ekonomisë kombëtare dhe të familjeve shqiptare. Viti më i mirë në aspektin e sigurisë, në aspektin e shërbimeve publike, të investimeve publike dhe të huaja, në aspektin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë. Faktikisht, ky vit, duhet të mbyllet me një rritje ekonomike që e tejkalon ndjeshëm çdo parashikim të bërë qoftë nga qeveria apo institucionet financiare ndërkombëtare.  Besojmë se shifra përfundimtare do të jetë afër 4 për qindëshit, 3.7 apo 3.8 për qind.

Të ardhurat kanë qenë si asnjëherë më parë dhe me rritje të ndjeshme. Në 9 mujorin e parë Shqipëria ka përfituar 3.2 miliardë euro të hyra, një shifër shumë e lartë pa asnjë krahasim. 

Turizmi konsiderohet pjesë e të gjithë zërave të eksportit, po ashtu ky vit ka pasur rënie të mëtejshme të papunësisë reale. Sot jemi me një papunësi që është më e ulëta deri tani 10.5 %. Synimi është të zbresim hap pas hapi nën 10 %. Investimet e huaja direkte, kanë arritur një vlerë mbi 1 miliardë euro, ose afro 60 milion euro mbi vitin e shkuar”, deklaroi Rama.

Gjatë fjalës së tij, ai paralajmëroi një tjetër rritje pagash për disa kategori, duke nisur nga qershori i vitit të ardhshëm.

“Paga minimale këtë vit u rrit në vlerën e 40 mijë lekëve që praktikisht përkon falë forcimit të monedhës vendase si asnjëherë më parë me 400 euro. Po ashtu kanë filluar të gjitha programet e mbështetjes dhe kompensimeve, qoftë për rritjen e kontributeve qoftë edhe për pensionet që kanë arritur një rritje me vlerë 9 për qind. Në qershorin e vitit të ardhshëm do të kenë rritjen e parashikuar në buxhetin e vitit 2024. Punonjësit e policisë, arsimtaret dhe mjekët do të kenë rritje”, deklaroi Rama ndërsa u ndal edhe tek turizmi duke e konsideruar prioritet dhe paralajmëroi se do t’u hapet rruga disa investimeve të rëndësishme.

“Aeroporti i Tiranës është ngjitur në krye krah për krah me atë të Beogradit si aeroporti me numrin më të madh të pasagjerëve në rajon dhe ndërkohë është aeroporti me rritjen më të lartë në gjithë klasifikimin e bërë nga Organizata e Aviacionit Civil në gjithë Europën. Ne kemi hapur rrugën për një investim të rëndësishëm në Sarandë për portin e ri turistik dhe jemi në procesin e vlerësimit të një transformimi dhe të portit ekzistues ë Sarandës”, deklaroi ai.

Rama gjithashtu bëri me dije se janë instaluar 12 laboratorët e parë të inteligjencës artificiale në shkolla.

“Kemi vijuar me laboratorët smart në shkolla, janë instaluar 12 laboratorët e parë të inteligjencës artificiale në shkollat publike dhe pas 100 laboratorë smart që janë vënë në punë këtë vit do të vijojmë me 216 laboratorë smart vitin e ardhshëm. Është rritur ndjeshëm paga e personelit akademik dhe është rritur me 40% financimi i arsimit të lartë”, tha Rama.

Rama ka folur me shifra në lidhje me operacionin e ndërmarrë për konfiskimin e shtesave pa leje. Kreu i qeverisë nënvizoi se deri tani janë arkërtuar 3.5 mln euro nga 5 objekte dhe shtoi se për 4 objekte të tjera pritet të bëhet pagesa.

"Pashë ecurinë e procesit të konfiskimeve të shtesave të paligjshme të pallateve për të cilat u bë një zhurmë e shoqëruar dhe me shumë hamendësime dhe me shumë shpifje dhe më vjen mirë t'ju them se ka filluar arkëtimi i parave në arkën e shtetit nga procesi i ndëshkimit të ndërtuesve që kanë kapërcyer kufijtë e lejeve të ndërtimit. Janë arkëtuar 3.5 mln euro deri tani nga 5 objekte dhe janë 4 objekte të tjera që pritet të bëjnë pagesat dhe presim nga 9 objekte e para 10.5 mln euro në arkën e shtetit.

Nga çdo m2, subjektet do të paguajnë deri në fund çdo metër katror që është bërë pa leje. Janë edhe disa objekte të konfiskuara në proces. Nuk kanë shprehur interes kështu që do të vazhdohet me masa të tjera që ka ligji për konfsikimin. Falë këtij veprimi ekstrem, shikojmë një disiplinim jashtëzakonisht të mirëpritur të punimeve të ndërtimit dhe nuk konstatojmë shkelje të kësaj natyre. Kush bën një m2 shtesë do të paguajë si frëngu pulën.’- tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë