Kosova

‘Kosova ka qeveri pa lidhje me krimin’, Kurti: Po të kishim prokurorë më të guximshëm do ishim kampionë europianë

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë sot se qeveria e tij nuk ka asnjë lloj lidhjeje me krimin e organizuar.

Këtë deklaratë Kurti e bëri në festën e fundvitit të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kreu i qeverisë së Kosovës u tregua kritik ndaj institucioneve të drejtësisë, duke thënë se nëse do të kishin prokurorët më të guximshëm e gjykatësit më punëtorë, do të ishin kampionë europianë.

“Për herë të parë Kosova tani ka qeveri pa kurrfarë lidhjesh me krimin e organizuar dhe pa frikë ndaj tij. Përkundrazi, tash pra është krimi i organizuar, në veri e në jug, që tmerrohen nga qeveria: ose ikin ose dorëzohen. Eh, vetëm sikur edhe prokurorët sikur t’i kishim pak më të guximshëm edhe gjyqtarët t’I kishim pak më punëtorë, nga kampionë ballkanikë siç jemi do të mund të bëheshim kampionë evropianë”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës foli edhe për procesin e Vettingut, ku tha se reformat janë të domosdoshme.

“Në rrafshin e drejtësisë, duket se i është dhënë drita e gjelbër një reforme të rëndësishme – Vettingut. Këto reforma do të duhet disa vite që të japin rezultate, mirëpo janë të domosdoshme për të rregulluar dhe për të garantuar mirëfunksionimin e drejtësisë, që duhet të jetë një nga shtyllat e vendit tonë demokratik”, ka deklaruar Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë