Politike

Berisha: Gati për çdo vendim, rasti im nuk krahasohet me atë të Fatos Nanos

Sali Berisha u pa i përgatitur kur tha se nuk ka më asnjë lloj impresioni se çfarë vendimi do të merret ndaj tij nga GJKKO.

“Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë unë nuk kam ndërhyrë në asnjë proces dhe në asnjë vendim, por vetëm kam mbrojtur ligjin dhe Kushtetutën për çdo qytetar që beson se barazia para ligjit, se zbatimi i ligjit është kushti i kushteve për të garantuar liritë e individit.

Asnjë rekomandim unë nuk u bëj avokatëve të mi. Në qoftë se ka të bëjë me qëndrime direkt të miat, ata do më pyesin. Për të tjerat, çfarë ka të bëjë me zbatimin e ligjit, legjitimitetin e procedurave gjyqësore, ata kanë autoritet të plotë të vendosin pa më pyetur fare. Ky është raporti.

Ata ushtrojnë profesionin e tyre dhe duhet ta ushtrojnë atë profesion në variantin më të mirë, më dinjitoz që ata e konsiderojnë.

Unë nuk kam asnjë lloj impresioni se çfarë vendimi merret nesër apo pasnesër. Beteja ime është pa kthim. Kjo është ajo që unë kam deklaruar dhe ajo betejë do vazhdojë gjer në triumfin e plotë, rikthimin e pluralizmit politik në vendin tim”, tha Berisha.

I pyetur nga media, Berisha tha se rasti i tij nuk krahasohet me arrestimin e ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano.

“Krahasimi me të pakrahasueshmen nuk shërben dhe është fatkeq.

Fatos Nano është arrestuar për një abuzim, i cili sipas përllogaritjeve të qeverisë së PS, konkretisht të ish-ministrit të tregtisë së jashtme, Shane Korbeci dhe të ministrave të tjerë që nuk kishin firmosur, por u ishte falsifikuar firma në qeveri, njëri prej tyre, Qemal Disha, ishin zhdukur 10 milionë ndihmë humanitare për shqiptarët e uritur. Pa nam dhe nishan.

Dhe kjo dosje u përgatit dhe u paraqit edhe në parlament me elementë kryesorë nga Korbeci, e vërteta është se edhe Qemal Disha, në atë kohë ministër financash, kishte refuzuar të firmoste.

Kështu që Fatos Nano nuk ka pasur asnjë akuzë të vetme nga qeveria e PD-së, se ajo ishte gjithçka gati. Kjo është e vërteta.

Fatos Nano është thirrur dhe është pyetur, sikundër janë në dosje akuzat e ministrave të tij.

Të krahasosh 10 milionë euro ndihma bujare të qeverisë italiane të zhdukur me 410 metër katrorë tokë të trashëguar të veten të Jamarbër Malltezi, pastaj krahason dy gjëra më të pakrahasueshme.

Në të gjithë procesin e dosjes së ndihmave italiane, ishte firma e Fatos Nanos.

Në procesin e privatizimit të klubit Partizani, në kuptimin e njohjes, kthimit, parablerjes së objekteve, nuk ekziston asnjë firmë e vetme e Sali Berishës...”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë