Treg

Kompanitë e sigurimit, mbi 20 mld lekë në 11 muaj. Shtohen kontratat për ‘Karton Jeshil’

Nga Gazeta ‘SI’ – Tregu i sigurimeve në vend ka kaluar vlerën e 20.5 mld lekëve, me një rritje vjetore mbi 8%. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, nga janari në nëntor 2023 u lidhën më shumë se 1.3 mln kontrata sigurimi, me rritje 11% në një vit.

Në raport mujor, tregu i sigurimeve është rritur me më shumë se 3 mld lekë nga tetori në nëntor.

Sigurimet dominohen përsëri nga ato të jo-jetës, që mbajnë 91% të tregut, por pesha e të cilëve po dobësohet. Sigurimet e jetës për herë të parë kanë arritur të mbajën 8% të totalit të sigurimeve dhe risigurimet 0.05%.

Sigurimi i detyrueshëm i mjeteve mban në këmbë këtë treg, me të ardhura totale 12.5 mld lekë nga janari në nëntor 2023. Një rritje e fortë, 40%, raportohet për sigurimin e llojit ‘Kartoni Jeshil’ që duhet për udhëtimet jashtë kufirit, e cila lidhet dhe me pushimet e nëntorit e fundvitit.

Sigurimet për jetën dhe të pronës kanë pasur një rritje modeste, duke arkëtuar për të gjithë 11-mujorin, respektivisht 1.6 mld dhe 3.6 mld lekë.

Për të njëjtën periudhë, kompanitë e sigurimeve kanë paguar edhe më shumë për dëmet, rreth 3% më shumë, duke iu afruar vlerës së 6.3 mld lekëve. Nga këto 4.3 mld janë dëme motorike.

Gjatë muajit janar-nëntor 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 6.3 mld lekë  milionë lekë, ose 3.22% më shumë se në muajin janar-nëntor 2022.

Dëmet e paguara bruto në sigurimin e motorik për muajin janar-nëntor 2023 kapën vlerën 4,386 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 9.93% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë