Gazeta Si – Dy persona kanë rënë në pranga, pasi kanë mashtruar shtetas grekë, duke iu marrë të dhënat e llogarive bankare dhe duke transferuar shuma parash nga llogaritë e tyre, në llogari të tjera të paidentifikuara, nëpërmjet agjentëve fiktivë.
Konkretisht, janë vënë në pranga: Kanan Hani 31 vjeç, banues në Tiranë; Kristjan Feçanji, 29 vjeç, banues në Korçë, të cilët në subjektin tregtar të përshtatur për këtë veprimtarinë kriminale, kishin punësuar në mënyrë të paligjshme 7 shtetas.
Dyshohet se punonjësit nga Fieri, u kanë marrë nga 3 mijë deri 5 mijë euro. Grekëve të mashtruar u kërkonin të shkarkonin në kompjuter një aplikacion, përmes të cilit u vidhnin të dhënat bankare dhe paratë.
Nga këqyrja e pajisjeve kompjuterike të vendosura në këtë ambient, janë gjetur lista emërore me kontakte telefonike dhe foto të dokumenteve të identifikimit të shtetasve grekë, fatura transaksionesh bankare, fatura fiktive në kriptomonedha “Bitcoin”, adresa kriptovalutash etj.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se pajisjet kompjuterike përdoreshin nga këta shtetas, për të mashtruar shtetasit grekë, të cilëve iu merrnin të dhënat e tyre personale bankare, me të cilat ndërhynin në llogaritë e tyre, nëpërmjet agjentëve fiktivë, për të transferuar shuma parash në llogari të ndryshme të huaja, të paidentifikuara.
Sakaq, janë 23 njësi kompjuterike, 1 laptop, fatura fiktive, fatura transaksionesh bankare dhe pajisje të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




