Drejtësia

GJKKO dënon me 2 vite burg ish-kryebashkiakun socialist të Bulqizës, Lefter Alla

Gazeta Si – Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla është dënuar me 2 vite burgim për shpërdorim detyre nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Alla u shpall fajtor së bashku me 8 persona të tjerë për akuzat  e shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim të dokumenteve, në lidhje me projektin e një ujësjellësi në Bulqizë me vlerë 3.2 milionë dollarë.

Trupa gjykuese e dënoi me 3 vite burg Lefter Allën, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë përfundimisht 2 vite heqje lirie.

Në 21 dhjetor, Lefter Alla i kërkoi gjykatës që ta shpallte të pafajshëm dhe të mos pranonte kërkesën e SPAK.

Ndërsa 10 ditë më parë, prokuroria kërkoi 3 vite e 6 muaj burg për Allën, 3 vite për Enkeleda Lleshin, për vartësit e tjerë dhe biznesmenin që kreu punimet e ujësjellësit kërkoi 1 deri në 4 vite burg.

Të gjithë të pandehurit përfitojnë gjykim të shkurtuar. Sipas SPAK, ata kanë kryer veprime aktive të kundërligjshme për paracaktimin e fituesit megjithëse subjekt nuk i përmbushte të gjitha kriteret.

Edhe pse fitues rezultoi Rasim Daci, punimet për ujësjellësin u kryen nga Aqif Konesha, një lidhje e kryetarit të bashkisë Lefter Alla.

Lefter Alla mbante postin e kryetarit te bashkisë që prej qershorit të vitit 2019. Arrestimi i tij ndodhi dy muaj larg zhvillimit të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen më 14 maj.

Të dënuarit e tjerë

1 vit e 8 muaj burg Enkelejda Lleshit, lirohet me kusht

Nga 14 muaj burg Rubin Kolës, Arsen Gjokës e Kujtim Zogut, lirohen me kusht

Leonard Daci dënohet me 1 vit e 2 muaj burg, lirohet me kusht

Erion Isaku dënohet me 2 vite burg

Rasim Daci dënohet me 1 vit e 8 muaj burg

1 vit e 4 muaj burg Aqif Koneshën, i afërmi i Lefter Allës

Dënohet me 1 vit burg, Dali Gazidedja, lirohet me kusht


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë