Drejtësia

Lefter Alla kërkon lirinë në gjykatë: Jam i pafajshëm, shiheni me kujdes këtë punë!

Gazeta Si- Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme të shpallet i pafajshëm nga akuzat për shpërdorim detyre.

Këtë të enjte ish-zyrtari ka dëshmuar në seancë pak ditë pasi SPAK kërkoi dënimin e tij me 3 vite e 6 muaj burg, por me gjykim të shkurtuar, masa do të ulej në 2.4 vite burg.

Alla dhe avokatët e tij paraqitën para togave të zeza konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes, duke kundërshtuar akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tender.

“Jam i pafajshëm jam zgjedhur me 67 % të votave nga populli i Bulqizës. I kam shërbyer me ndershmëri dhe përkushtim. Kam hequr dorë nga biznesi. Nuk kam pasur përvoja të tjera në administratë. Lashë biznesin tim për t’i shërbyer popullit. Kam marrë nga pjesa e familjes time për t’ia vënë në dispozicion popullit. Shiheni me kujdes këtë punë se prokurorja e çështjes nuk më ka marrë në pyetje”.

Edhe ish-nënkryetarja e Bashkisë, Enkeleda Lleshi, i kërkoi gjykatës pafajësinë, me pretendimin se nuk kishe pasur akses më shumë se të lëshonte urdhrat e deleguara nga kryetari dhe se nuk kishte dijeni për kompaninë që po kryente punimet e ujësjellësit.

Lidhur me një përgjim të prokurorisë, ku Lleshi bisedon me biznesmenin e përfshirë në çështjen e ndërtimit të ujësjellësit në Bulqizë, ajo tha se kishte folur me të për shkak të detyrave të tjera.

Një javë më parë, prokuroria kërkoi 3 vite e 6 muaj burg për Allën, 3 vite për Enkeleda Lleshin, për vartësit e tjerë dhe biznesmenin që kreu punimet e ujësjellësit kërkoi 1 deri në 4 vite burg.

Të gjithë përfitojnë gjykim të shkurtuar. Sipas SPAK janë kryer veprime aktive të kundërligjshme për paracaktimin e fituesit megjithëse subjekt nuk i përmbushte të gjitha kriteret.

Edhe pse fitues rezultoi Rasim Daci, punimet për ujësjellësin u kryen nga Aqif Konesha, një lidhje e kryetarit të bashkisë Lefter Alla.

Lefter Alla mbante postin e kryetarit te bashkisë që prej qershorit të vitit 2019. Arrestimi i tij ndodhi dy muaj larg zhvillimit të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen më 14 maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë