Nga Gazeta ‘SI’ – Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit, AKSHI, ka njoftuar se gjendet nën sulme masive kibernetike të llojit DDoS.
Sipas AKSHI-t, ky lloj sulmi vetëm bllokon aksesin e faqeve publike dhe se nuk kanë lidhje me sigurinë e të dhënave apo sistemit.
“Situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë”, njofton Agjencia, pa informuar se për cilat website bëhet fjalë.
Njoftimi vjen pak momente pasi u raportua një bllokim i shërbimeve të platformës e-Albania dhe dy ditë pas hakerimit të faqes online të Kuvendit dhe databazës së kompanisë celulare “One Albania”. Edhe këto të fundit e konfirmuan sulmin e ndodhur, por nuk treguan për masën e dëmit të shkaktuar nga sulmet.
Shqipëria ka më shumë se një vit që përballet me sulme të vazhdueshme kibernetike, nisur korrikun e shtuar kur grupi iranian “Homeland Justice” bllokoi portalin e shërbimeve publike e-Albania. Ajo u shoqërua me një sulm masiv në sistemin bankar. Disa herë kanë dalë jashtë funksionit edhe website-t e institucioneve qeveritare.
Pas çdo njoftimi për sulm institucionet premtojnë se “po merren masa për sigurinë e të dhënave”, por goditjet kibernetike kanë vazhduar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




