Nga Gazeta ‘Si’ – Deri vonë, dyert para ambasadave të vendeve perëndimore në Kosovë ishin të mbushura me qytetarë. Ata që donin të udhëtonin jashtë vendit detyroheshin të prisnin në radhë të gjata dhe të kalonin në një proces të gjatë e të mundimshëm për të siguruar një vizë për në vendet e zonës Schengen.
Tani situata është ndryshe. Nga sot(1 janar) Kosova bëhet pjesë e regjimit të udhëtimit pa viza, e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
LEXO EDHE:
Serbët në veri të ndarë për të marrë pasaportën e Kosovës
Më 19 prill në Parlamentin Evropian u nënshkrua akti ligjor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që shënoi edhe hapin e fundit të procesit të liberalizimit të vizave.

Sipas një anketimi të kryer nga gazeta online “Shegenvisa” me qytetarët e Kosovës thuhet se mbi 80 për qind e të anketuarve kanë plane udhëtimi për vitin 2024, pas liberalizimit të vizave, ndërsa destinacionet kryesore janë Gjermania dhe Zvicra.
Pjesa e mbetur prej 20 për qind e të anketuarve që janë të pavendosur ose nuk do të udhëtojnë këtë vit përmendin arsye financiare për vendimin e tyre.

Autoritetet në Kosovë kanë organizuar një fushatë disa javëshe për informimin e saktë të qytetarëve mbi lehtësitë dhe kufizimet që sjell liberalizimi i vizave. Regjimi nënkupton mundësi udhëtimi pa viza deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen, por nuk është leje pune.
Nuk mund të udhëtojnë drejt Spanjës
Komisioni Europian ka sqaruar tashmë se edhe pas liberalizimit të vizave, zotëruesit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë – vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.
Edhe pse vendimi për liberalizim vlen për të gjitha vendet e Schengenit, njohja e pasaportave është kompetencë e vendeve anëtare – në këtë rast Spanjës.
Komisioni Europian ka sqaruar, po ashtu, se liberalizimi i vizave vlen vetëm për zotëruesit e pasaportës së Kosovës, por jo edhe për ata shtetas të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe.
Në vendim shkruan se liberalizimi, nuk mund të zbatohet para nisjes operacionale të sistemit të udhëtimit në Europë – ETIAS.
Bashkimi Europian e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai ishte parashikuar të hynte në fuqi më 1 nëntor të 2023-shit.
Si funksionon ETIAS?
ETIAS është sistem europian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.
Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.
Aty kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartelë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument.
Autorizimi për udhëtim lëshohet shpejt dhe në mënyrë automatike, përveç nëse ka dyshime për të kundërtën. Dokumenti valid ETIAS më pas rishikohet nga roja kufitare e shtetit, që merr vendimin final për hyrjen potenciale të udhëtarit në një vend të Zonës Schengen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




