Drejtësia

Vendimi ndaj Berishës shtyhet për të enjten, mbrojtja tjetër kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë për të dytën ditë radhazi dhënien e vendimit për ashpërsimin ose jo të masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, nën hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”. Kështu, vendimi pritet të jepet ditën e nesërme, të enjten 28 dhjetor në orën 15:00.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, tha se seanca për shqyrtimin e masës u shty, pasi është kërkuar sërish përjashtimi i gjyqtares Irena Gjoka.

I bindur që kërkesa e tyre do të rrëzohet sërish, avokati i Berishës tha se GJKKO nuk mund të japë vendim derisa të shqyrtohet kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

“Vazhduam me gjykimin, i kërkuam gjykatës ta çojë në Gjykatën Kushtetuese e cila ka lënë të pagjykuar në themel çështjen. Me autorizimin e Ramës vazhdoi gjyqi, për gjithë këto shkelje dhe rrëzim kërkesash. Edhe kjo kërkesë e përjashtimit do të rrëzohet. Ligji thotë kur ngrihet kërkesa për përjashtim, Gjykata nuk mund të japë gjykim. Këto do rrëzohen të gjitha, kështu që vazhdojmë. Argumentet ia kemi parashtruar gjykatës.”

Në seancën e kësaj të mërkure, avokatët e Sali Berishës kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese dhe që kjo seancë të bëhet publike me praninë e mediave. Të dyja këto kërkesa u rrëzuan.

Gjyqtare e çështjes do të vijojë të jetë Irena Gjoka, për të cilën Sali Berisha tha se ka konflikt interesi me të pasi kur ka qenë President i Republikës e ka përjashtuar nga detyra.

“Personi nën hetim Sali Berisha nëpërmjet mbrojtësve të tij ka paraqitur kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues që shqyrton kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me objekt: zëvendësimin e masës së sigurimit. Kjo kërkesë i’u kalua për shqyrtim gjyqtarit të gatshëm, i cili në përfundim të gjykimit vendosi rrëzimin e kërkesës”, thuhet në njoftimin e GJKKO-së.

SPAK ka kërkuar ashpërsim të masës së sigurisë ndaj Berishës, nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie, të ruhet me roje sigurie te dera dhe të mos lejohet të komunikojë me persona të tjerë jashtë banesës së tij.

Kuvendi të premten e shkuar vendosi me 75 vota pro heqjen e imunitetit, duke vendosur kështu Sali Berishën në dorë të drejtësisë.

Pas miratimit të autorizimit nga Kuvendi për heqjen e lirisë së Sali Berishës, SPAK iu drejtua Gjykatës më datë 22 dhjetor duke i kërkuar ashpërsimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin, duke argumentuar se Sali Berisha nuk ka respektuar detyrim për t’u paraqitur.

Ish-kryeministri Sali Berisha po hetohet nën dyshimet për korrupsion pasiv së bashku me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, në privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë