Politike

Berisha, këmbëkryq para Gjykatës së Lartë për vulën e PD: A ka njeri të lirë sot që mendon se Lulzim Basha mund të bëjë opozitë?

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Sali Berisha mblodhi mbështetësit e tij para Gjykatës së Lartë (ku shpallej vendimi për vulën e PD) duke bllokuar paralelisht gjithë trafikun.

Flamur Noka fajësoi policinë që nuk kishte marrë masa, ndërsa Sali Berisha, në një podium të improvizuar në ditën kur GJKKO vetëm pak minuta më vonë do të merrte vendim për arrestimin e tij, tha se Gjykata e Lartë po përdoret si vegël e Edi Ramës

“Unë kam respektuar ligjin me bindjen më të thellë se ai respekt është mënyra më e sigurt për garantimin e lirive tuaja, për funksionimin e shtetit ligjor, pa të cilin nuk ka dhe nuk mund të ketë demokraci.

Kështu që në këtë aspekt, mund t’u them para jush sot se vështirë të gjendet një tjetër të ketë konsideratë më të lartë se unë për ligjin.

Ky është fakt!

Por sot është koha kur secili prej nesh duhet të kujtojë diçka thelbësore që duket se është harruar.

Çfarë është ligji? Ligjet, Kushtetuta, gjykatat, janë të gjitha instrumente për të garantuar liritë dhe të drejtat e njeriut...”, tha Berisha

Më tej, ai u fokusua tek çështja për të cilën po protestohej, vula e PD-së nga ku Gjykata e Lartë do të marrë vendim nëse do të lërë në fuqi vendimin e Apelit për t’ia lënë vulën Lulzim Bashës, do ta rrëzojë apo do ta kthejë çështjen në themel në gjykatën e Shkallës së Parë.  

“A ka njeri të lirë sot që të mos pranojë se PD, vula, sigla, selia e saj, u përkasin demokratëve dhe vetëm demokratëve?

A ka njeri të lirë sot që të besojë se gjykata dhe jo demokratët, duhet të vendosin se e kujt është PD, vula, logoja e saj, se kush është kryetari i PD?

A ka njeri të lirë sot që pajtohet se logo e partisë më të madhe opozitare të vendit mund të jepet sikur të ishte një plaçkë një njeriu që ka tradhtuar gjithçka, duke nisur nga qenia e tij gjer te mbështetësi më i fundit i tij?

A ka njeri të lirë sot që mendon se Lulzim Basha mund të bëjë një opozitë duke iu dhënë simboli i PD?

A ka njeri të lirë sot që të tresi rrëmbimin nga gjykata të simbolit të PD?”, pyeti ai

Ky akt, sipas tij, ndodh vetëm e vetëm që të kemi një Shqipëri pa opozitë. Më pas Berisha është ulur këmbëkryq në rrugë në shenjë simbolike për disa minuta. Më tej ai iu drejtua selisë së PS-së me tej PD bashkë me mbështetësit e tij


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë