Politike

Berisha fton FRPD: Vendi ka nevojë për heronj, vetëm ju mund ta rrëzoni Ramën,  apatia juaj e mban atë në pushtet

Paralelisht me dërgimin e avokatëve në GJKKO, ku diskutohej kërkesa e SPAK për arrestimin e tij, Sali Berisha  mblodhi një grup të rinjsh të FRPD në selinë e PD-së. Një njoftim i paralajmëruar ‘Live’, por i regjistruar më herët.

Edhe në këtë takim, Berisha nuk beri diferencën në takimin që mund të ishte i fundit me FRPD nëse gjykata vendos ndaj tij masën e arrestit në shtëpi.

Berisha përdori të njëjtin diskur politik dhe përcolli të njëjtat qëndrime se Rama ka pushtet absolut dhe se SPAK sipas tij funksion si organizatë kriminale.

 “...Sot Edi Rama ka në mënyrë absolute, në mënyrën më të verbër, çdo pushtet.

Ju jeni dëshmitarë, ndoshta keni ndjekur procesin e tij ndaj meje. Një proces pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë firmë të Sali Berishës në privatizimin e një kompleksi me qindra pronarë, njëri prej të cilëve ishte dhëndri im, Jamarbër Malltezi. Asnjë firmë. Një proces i filluar në vitin 1995, i përfunduar në vitin 2009 në përputhje me të gjitha ligjet e vendit.

Në këtë proces ka diçka shumë të veçantë, ky që ka marrë tokën e tij dhe është një i 500 mijti pronar që ka marrë trojet dhe ka marrë 400 metra nga 1 miliard e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë tokë që qeveria, në përputhje me programin e saj, ua dorëzoi pronarëve legjitimë. Ky vihet në gjendje arresti.

Vetë Edi Rama, me firmën e tij, me 4 vendime qeverie, merr nga toka e kësaj familje, të cilët fisnikërisht e kishin dhuruar për shkollë komuniteti, 1500 metër katrorë tokë. Po si i merr? Me 4 firma. Ky që mori 400 metra nuk ka asnjë firmë të Sali Berishës. Kurse ky tjetri, për të marrë 1500 metra, vendos 4 firma njëra pas tjetrës, dhe burgos këtë, njëlloj siç burgosën në vitin 1946, paraardhësit e tij”.

Megjithatë, në fund të fjalës së tij 15 minutashe,  Berisha kërkoi që vendi të ketë sërish heronj dhe atë sipas tij mund ta bëjnë vetëm të rinjtë duke sjellë rastin e Azem Hajdarit.

“Sot Shqipëria pret heronj! Ju garantoj se ajo i pret nga ju.  Këta heronj, si gjithmonë kanë qenë të rinjtë. Ka qenë Azem Hajdari, heroi i kohës së tij, që guxoi, doli me 8 dhjetor në shesh. Diku kam shkruar sepse u ndodha përballë tyre dhe çfarë ndjenjash më ngjalli? Aty pashë heronj sa kurrë në jetën time, sa në asnjë film, sa në asnjë roman. Kjo ishte e vërteta.Se ata kishin dalë në sheshin e mejdanit, u përballën dhe fituan. Studentët nisën një betejë të shkëlqyer në vitin 2018. Tani unë i pyes ata, u pyes ju dhe i ftoj të pyesni secilin prej tyre. Çfarë fituat nga ajo lëvizje? Në qoftë se nga lëvizja e viteve ‘90, studentët çelën një epokë për kombin dhe vendin, çfarë u fitua nga lëvizja e vitit 2018? Secili student sot paguan një tarifë më të shtrenjtë se më përpara, secili prej jush sot paguan një qira më të shtrenjtë se ajo që paguanit, secili nga ju sot shpenzon shumë më tepër për një vit shkollor sesa bashkëmoshatarët tuaj në Vjenë, Paris, Romë, prindërit e të cilëve janë pakrahasimisht shumë më të pasur se prindërit tuaj.

Pra, ajo lëvizje u tradhtua. Ato premtime u përdorën për mashtrim.

Çfarë ndodhi me studentët e mjekësisë? Një urdhër i marrë hua nga Maduro i Venezuelës.

Të gjitha këto janë një kushtrim për ju. Të gjitha këto janë një shans i madh për ju.

O sot o kurrë duhet të ngrihemi kundër kësaj diktaturë”, tha Berisha para të rinjve.

Me tej ai shtoi:

“Dy gjëra do u them. Edi Rama kontrollon të gjitha pushtetet dhe në pamje të parë është i stërfuqishëm. Ju garantoj se ai është një kalbësirë, është një statujë e kalbur që nuk pret asgjë tjetër për t’u rrëzuar përveç vrullit, guximit, mosbindjes civile.

Ai e kuptoi sapo ëndrra e tij për Shqipëri pa opozitë u bë pluhur, ai e kuptoi që nuk do i rezistojë kurrë opozitës së vërtetë. Ndaj u hodh në veprimet më të dëshpëruese.

Por ai qëndron dhe do qëndrojë për sa kohë ne nuk do ngrihemi fuqishëm, ju nuk do ngrihemi fuqishëm.

Për sa kohë heronjtë e vërtetë do të rrinë në një apati apo do pajtohen me regjimin e tij.

Ndaj ju ftoj ju, ftoj të gjithë të rinjtë shqiptarë në emër të dinjitetit tuaj, asnjëri të mos mendojë se ka dinjitet në rast se të drejtat kushtetuese shkelmohen. Dinjiteti i pëlqen çdo njeriu, por garanti i dinjitetit të tij është Kushtetuta, e cila përcakton respektin e dinjitetit si shtyllë themelore të saj.

Asgjë nuk ka liria më thelbësore sesa dinjiteti. Ndaj dhe ne duhet të mendojmë për këtë.

Në qoftë se të rinjtë tanë vendosin të realizojnë ëndrrën e tyre, të rikthejnë shpresën për shqiptarët, Edi Rama do i ketë kohërat e numëruara. Dhe unë jam i bindur se ju do i jipni atij shumë shpejt përgjigjen e merituar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë