Ngjarje

Zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë, nis ekspertiza për dëmet e shkaktuara nga flakët

Gazeta Si- Ka përfunduar pas më shumë se 10 orësh beteja me flakët që përfshinë qendrën tregtare “Metropol” në Lushnjë rreth orës 14:40 minuta të së hënës së Krishtlindjeve.

Forcat zjarrfikëse, të Lushnjës, Fierit, Tiranës, Elbasanit, Vlorës e Beratit, luftuan për të shuar flakët, por pa sukses, edhe pse të pranishëm në vendngjarje ishin dhe ministrat Balla dhe Koçiu.

Një ditë më parë rreth 42 persona u shtruan në spital pasi kishin probleme me frymëmarrjen mes tyre dhe 8 persona personel zjarrfikës.

Ndërkohë zona është rrethuar me shiritin e sigurisë dhe pritet që të kryhet ekspertiza për të përcaktuar shkaqet e zjarrit si dhe dëmet e shkaktuara nga flakët.

Kati i katërt ku ndodhej biznesi është i shkatërruar totalisht, ndërkohë që dëme ka edhe në pjesën tjetër të godinës.

Gjatë gjithë natës, në godinë kanë qëndruar zjarrfikësit për të parandaluar një tjetër riaktivizim të vatrave.

Zjarri u aktivizua rreth orës 14:40 pasdite. Si pasojë u rrezikua jeta e shumë njerëzve, të cilët ndodheshin aty për pazar si dhe për të festuar ditën e krishtlindjeve, por dhe banorëve të pallatit 12-katësh.

Objekti, i cili është ndërtuar në qendër të qytetit, ndodhet mes dy godinave 12-katëshe, katet e sipërme të të cilave funksiononin si apartamente banimi.

Përhapja e shpejtë e flakëve vështirësoi punën e zjarrfikësve lokalë, për të cilët fillimisht ka qenë i pamundur lokalizimi i flakëve dhe që kërkuan ndihmë nga Tirana dhe qytetet pranë. Në ndihmë të tyre shkuan forca nga kryeqyteti, por edhe Fieri e Patosi.

Banorët e kateve të para u evakuuan me të gjitha mënyrat e mundshme, ndërsa u desh ndërhyrja e forcave RENEA për të shpëtuar banorët që kishin mbetur në katet e larta.

Flakët u riaktivizuan në orët e vona të natës në katin e katërt ku ndodhej dhe një lokal veror me strukturë druri si dhe disa zyra të administratës.

Mungesa e një autoshkallë e bënte të vështirë shuarjen e zjarrit, ndërsa zjarrfikësit hodhën ujë  nga kati i parë për në katin e katërt të qendrës që ishte duke u shkrumbuar. Flakët përpinë dhe katin e tretë të ndërtesës.

Në spital kanë mbërritur 42 persona me probleme në frymëmarrje, nga të cilët 2 janë fëmijë dhe 8 punonjës të zjarrfikëses. Të lënduarit u vizituan në spital edhe nga Ministrja e Shëndetësisë.

Dëmet më të mëdha i ka pasur qendra tregtare, dyqanet e së cilës u shkrumbuan në 2 kate ndërsa struktura ka pësuar dëmtime të mëdha.

Paraprakisht dyshohet se shkak për rënien e zjarrit mund të jetë bërë mbinxehja e kondicionerëve por nuk përjashtohet as mundësia e një shkëndije elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë