Ka ndodhur

Video / Vodhi një makinë dhe e fshehu në servisin e tij, arrestohet 42-vjeçari në Tiranë

Gazeta Si – Një 42-vjeçar me iniciale M.O., ka përfunduar në pranga pasi pak ditë më parë kishte vjedhur një automjet në Tiranë.

Makinën e vjedhur autori e kishte dërguar më pas në servisin e tij në fshatin Gjoricë në Dibër.

Bashkë me 42-vjecarin u procedua penalisht një i mitur, i cili dyshohet se është përfshirë në këtë veprimtari.

Policia thotë se 42-vjeçari, më 15 dhjetor të këtij viti ka vjedhur një “Golf” në rrugën “Mikel Maruli” në Tiranë në zonën e Astirit.

Gjatë kontrollit të ushtruar në servisin e 42-vjeçarit në fshatin Gjoricë, shërbimet e Policisë gjetën automjetin me të cilin ka lëvizur ditën që ka kyer vjedhjen, automjetin e vjedhur, pjesë motorike automjetesh të tjera, të dyshuara të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me veshjet që autori ka përdorur gjatë ngjarjes.

Po ashtu, nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se 42-vjeçari, më datë 7 prill të këtij viti ka vjedhur një automjet në rrugën “Ndre Mjeda”.

Më herët, rezulton se Osmani ka vjedhur makina, të cilat kryesisht i merrte për t’i shitur për pjesë në servisin e tij në vendlindje. Gjurmimi për makinën e vjedhur në Astir nga agjentët e Komisariatit nr. 6 u bë nga këqyrja e kamerave të sigurisë.

Sipas burimeve paraprake, M.O., përdorte një teknikë të veçantë për të vjedhur automjetet, kryesisht në Tiranë, të cilat më pas i shiste me pjesë në Gjoricë. Fillimisht makinat i merrte me qira dhe kopjonte çelësin e tyre, por i kthente te pronarët në kohë.

Vjedhjen e makinës, së cilës më herët i bënte kopje të çelësit, ai e bënte 6 muaj apo 1 vit më vonë, njëlloj siç bëri edhe në rastin e fundit. Siç shihet edhe në pamjet e kamerave të sigurisë të shpërndarë nga policia, Osmani hap makinën me lehtësi dhe më pas largohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë