Pasditen e djeshme janë depozituar në Kuvend dy raportet nga anëtarët e Këshillit të Mandateve të cilët dy ditë më parë me 6 vota pro votuan pro kërkesës së SPAK për arrestimin e ish kryeministrit Sali Berisha i cili akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.
Njëri prej tyre është raporti i mazhorancës, ndërsa raporti tjetër është i deputetit Enkelejt Alibeaj që ishte i vetmi përfaqësues i opozitës në Këshillin e Mandateve. Të dy raportet kërkojnë dhënien e autorizimit për t’i hapur rrugë kërkesës së SPAK që kërkon heqjen e imunitetit të Sali Berishës.
Për Gjykatën Kushtetuese, Berisha ka të drejtë ta ankimojë kërkesën e SPAK, pasi të ezaurojë ankimet në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Në padinë e tyre, deputetët demokratë pretenduan se masa e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj Berishës për aferën e privatizimit të klubit ‘Partizani’ është marrë pa autorizim fillestar të Kuvendit të Shqipërisë dhe është antikushtetuese.
Më 12 dhjetor SPAK i kërkoi Kuvendit autorizimin për arrestimin e Sali Berishës, në kushtet kur ish-kryeministri nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës për tu paraqitur pranë OPGJ-së. SPAK kërkoi ta zëvendësojë masën në ‘arrest shtëpie’ ose ‘arrest me burg’, vendim që do të presë edhe vulën e gjykatës. Kërkesa u shqyrtua edhe në Këshillin e Mandateve.
Nesër Kuvendi do të marrë në shqyrtim si pikë të parë në rendin e ditës kërkesën e SPAK për autorizim të masës së arrestit ndaj deputetit Sali Berisha, nën hetim për dosjen e kompleksit ‘Partizani’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




