Gazeta Si - Prokuroria e Elbasanit pritet të ngrejë akuzë për të dënuarin përjetë, Indrit Shaqja, pas vrasjes në burgun e Peqinit të Arben Lleshit.
Burime në rrugë jo zyrtare nga organi akuzës, dyshojnë se edhe shoku i qelisë së viktimës, i cili mbeti i plagosur, ka bashkëpunuar me Sokol Mjacaj për vrasjen e Arben Lleshit.
Policia gjyqësore e SHKBB i ka gjetur një telefon celular në qeli Indrit Shaqjes, të cilin e kishte fshehur në një arkë druri. Gjatë marrjes në pyetje ai ka pranuar prondësinë e celularit.
Prokuroria pritet t’i drejtohet gjykatës me kërkesën e masës së sigurisë “arrest në burg” për të dënuarin përjetë Indrit Shaqja. Dyshohet se ai ka bashkëpunuar në vrasjen e Arben Lleshit, teksa po verifikohen rrethanat.
LEXO EDHE
-Arben Lleshit ia kishin bërë benë / Dy letra në Burgun e Peqinit se do ta helmonin. Shoku i qelisë Indrit Shaqja: 200 mijë € për kokën e tij
-Dëshmia e drejtorit të burgut, negociatat me Sokol Mjacajn pas vrasjes: Armën e fshehu në kutinë e qumështit (dhe mikesha që i sillte ushqime!)
-Dëshmon shefi i regjimit të burgut / 4 ditë para vrasjes Mjacaj ndërroi qelinë: Sendet personale i mori vetë në dorë
Në dosjen e ngjarjes thuhet se Shaqja njoftoi Lleshin se po e kërkonin tek dritarja e qelisë, kur Mjacaj qëlloi ndaj tij me armë.
Megjithatë, Shaqja mund të përdorë një alibi “të fortë”. Gjatë dëshmisë së tyre në gjykatë, policët e burgut kanë deklaruar se Shaqja e ka ndjekur Mjacajn deri në korridor pas vrasjes, duke i kërkuar llogari për krimin e kryer.
Në dosjen hetimore, gjendet dhe dëshmia e Kelmend Hakës me detyrë polic shërbimi në sektorin brenda burgut, i cili ka treguar para prokurorëve çfarë ndodhi pasi Mjacaj shkrehu armën ndaj të dënuarit me burg përjetë.
Pasi ndodhi ngjarja, Mjacaj është larguar drejt korridoreve të burgut dhe “pas tij e ndiqnin dy të burgosur të tjerë, konkretisht të dënuarit Indrit Shaqja dhe Tomorr Çaushi, të cilët dukeshin sikur e ndiqnin egërsisht për t’u përleshur me të dënuarin Sokol Mjacaj, madje duke i thënë: ‘Do të mbysim, sepse na vrave shokun tonë...’”.
Sipas dëshmisë së tij, Shaqja po gatuante në sobën e qelisë kur dëgjoi Mjacajn të thërriste Lleshin në emër.
Ka qenë pikërisht Shaqja ai që lajmëroi shokun e tij që të dilte në dritare dhe të fliste me autorin e krimit, pa e ditur se do të ndodhte vrasja.
Indrit Shaqja është dënuar përjetë për vrasjen e dy kunatave Elsa dhe Gjinovefa Vava, përkatësisht 75 dhe 70 vjeçe.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 shtator 2014 në shtëpinë e viktimave në Durrës. Nipi i njërës prej viktimave, Artur Kaçanolli, besonte se të moshuarat kishin para dhe flori në shtëpi, ndaj organizoi një grabitje në të cilën morën pjesë edhe dy miqtë e tij: Velson Elmazi dhe Indrit Shaqja.
Ata hynë me forcë të shtëpi, e pasi nuk arritën të gjenin aq shumë para sa mendonin, dhunuan për vdekje të dyja gratë.
Dy prej autorëve u arrestuan 15 ditë pas krimit, ndërsa Indrit Shaqja u arrestua një muaj më pas në Spanjë dhe u ekstradua drejt Shqipërisë.
Por vetëm 2 muaj më herët nga vrasja e dyfishtë, Indrit Shaqja ishte protagonist në një tjetër ngjarje. Bëhet fjalë për zhdukjen e këngëtarit të tallavasë, Renato Hamza, i njohur ndryshe si Reni i Elbasanit.
Sipas hetimeve, Shaqja është një nga personat e fundit me të cilët takohet Reni i Elbasanit, mbrëmjen e 29 qershorit të vitit 2014, ku më pas u zhduk pa lënë asnjë gjurmë.
Për këtë ngjarje, Shaqja nuk ka pranuar të flasë para prokurorëve dhe gjykata vendosi ta dënojë me burg përjetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.