Gazeta Si – Një shpërthim i fuqishëm vullkanik filloi të hënën mbrëma në gadishullin Reykjanes të Islandës rreth orës 22:00 me orën lokale, rreth katër kilometra nga qyteti i Grindavik, sipas Zyrës Meteorologjike Islandeze.
Shpërthimi, i cili do të ishte i katërti në tre vitet e fundit, u parapri nga një valë e fortë sizmike, me kulmin e magnitudës 4.2 ballë.
“Rrjedha e magmës duket të jetë të paktën njëqind metra kub në sekondë, ndoshta më shumë dhe në këtë zonë konsiderohet një shpërthim i madh”, – tha Vidir Reynisson, kreu i Mbrojtjes Civile dhe Menaxhimit të Emergjencave të Islandës, për transmetuesin publik islandez RUV.
Nuk ka asnjë rrezik për popullsinë, në nëntor policia kishte evakuuar tashmë qytetin e Grindavikut pas një aktiviteti të parë intensiv sizmik, i cili filloi në tetor, i cili kishte shkaktuar një fryrje të tokës të shkaktuar nga një grumbullim magmë në Lagunën Blu, një nga atraksionet turistike më të njohura të vendit, duke dëmtuar shtëpitë dhe shkaktuar frikën e një shpërthimi të afërt.
Ky është një shqetësim jo i vogël për afërsinë e termocentralit gjeotermik Reykjanes me vullkanin.
Islanda ndodhet mbi një pikë të nxehtë vullkanike në Atlantikun e Veriut dhe mesatarisht ka një shpërthim çdo katër deri në pesë vjet.
Më shkatërruesi në kohët e fundit ishte shpërthimi i vullkanit Eyjafjallajokull në vitin 2010, i cili hodhi re të mëdha hiri në atmosferë, duke detyruar anulimin e fluturimeve në Evropë për ditë të tëra.
Sipas ekspertëve, ky shpërthim i ri do të prodhojë shumë llavë, por nuk ka gjasa të krijojë probleme për transportin ajror.
Ministri i Jashtëm i Islandës, Bjarne Benediktsson, tha në Tëitter se “nuk ka pasur ndërprerje në fluturimet për dhe nga Islanda dhe korridoret ndërkombëtare të fluturimeve mbeten të hapura”.
Grindavik, një qytet peshkimi me 3,400 banorë, ndodhet në Gadishullin Reykjanes, rreth 50 kilometra (31 milje) në jugperëndim të kryeqytetit, Reykjavik, dhe jo shumë larg nga Aeroporti Keflavik, objekti kryesor i fluturimit ndërkombëtar të Islandës.
Pavarësisht frikës se emetimi i tymit dhe mbeturinave në lartësi të mëdha mund të krijojë probleme për aktivitetin e aviacionit civil, siç kishte ndodhur vitet e fundit pas shpërthimit të një vullkani tjetër, aeroporti ndërkombëtar i Rejkyavik mbeti i hapur.
“Ne shpresojmë për më të mirën, por është e qartë se ky është një shpërthim i konsiderueshëm”, shkroi kryeministrja Katrin Jakobsdottir në Facebook, cituar nga AFP.
Shefi i policisë deklaroi se në zonën e shpërthimit, e cila tashmë ishte evakuuar ditë më parë, askush nuk ishte në rrezik. “Tani presim të shohim se çfarë kanë rezervuar forcat e natyrës”, – shkroi Presidenti Gudni Thorlacius Johannesson në X.
Vidir Reynisson, kreu i departamentit të Mbrojtjes Civile, i kërkoi popullatës të qëndronte larg zonës, duke i thënë televizionit lokal: “Ky nuk është një shpërthim turistik”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



